Aplikacion
Gazetarit Klevi Muka, të televizionit A2CNN, kryeministri i komunikoi se është i padëshiruar (non grata) dhe se do të futet në “riedukim” kur ai e pyeti ministren e tij Olta Xhaçkën, nëse e kishte respektuar Kodin e Etikës të vendosur nga kryeministri për të mos u takuar me biznesmenë apo investitorë strategjikë, njëri prej të cilëve është edhe bashkëshorti i ministres.
Më parë në “riedukim” kryeministri ka futur edhe gazetaren e SyriTv, Ambrozia Meta, po për shkak të pyetjeve të drejtuara prej saj në konferecat e shtypit.
Grupi i gazetarëve që synon të sensibilizojë kolegët ka planifikuar të protestojë të hënën në orën 19.00 përpara Kryeministrisë.
Nisma është për t’u përshëndetur dhe Zoom.al do ta mbështesë atë.
Por përpara se gazetarët të dilnin në shesh, protesta duhet të kishte nisur më herët.
Së pari, ajo duhet të kishte nisur në televizionin ku punon gazetari. Por A2, një televizion që mban bashkangjitur logon e CNN ka heshtur. Për me tepër, ka pasqyruar pikë për pikë konferencën propagandistike të kryeministrit, në vend që t’ia mbyllte atij ekranin ashtu siç kryeministri i mbylli derën gazetarit të A2CNN.
Të pyetur nga Zoom.al nëse i kishin adresuar ndonjë ankesë Kryeministrisë për vendimin e kryeministrit për të mos lejuar gazetarin e tyre në konferencat e shtypit, drejtuesit e A2CNN u përgjigjën se ajo ishte një çështje e brendshme që nuk do të donin ta diskutonin me kolegët e Zoom.al.
Në faqen e A2CNN mund të shihni që konferenca e kryeministrit është pasqyruar edhe pa pyetjen e gazetarit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, siç mund ta shihni në linkun e mëposhtëm.
Rama mbron Xhaçkën, ministrja sqaron pronën private dhe shfrytëzimin e plazhit publik
Së dyti, protesta mund të kishte nisur nga gazetarët që në konferencën e shtypit. Por asnjëri nga kolegët e Mukës nuk reagoi dhe ata që patën radhën për të marrë mikrofonin bënë sikur s’ishin aty.
Së treti, shoqatat e mediave dhe gazetarëve nuk patën asnjë reagim, përveç Unionit të Gazetarëve, të drejtuar nga Aleksandër Çipa. Të tjerat heshtën.
Reagimet institucionale janë shndërruar në ëndrra, ndërsa gazetarë e drejtues emisionesh reagojnë tek – tuk si ta kenë humorin apo marrëdhënien e momentit me kryeministrin.
Kryeministri e sheh gazetarinë si një kazan plehrash dhe ashtu i ka trajtuar mediat e gazetarët kritikë sa kohë ka qenë në pushtet. Tani ai po u tregon edhe anën e jashtme të derës atyre që i bëjnë pyetje jashtë pyetjeve që ka menduar zyra e tij e shtypit.
Thirrja e një grupi gazetarësh për protestë është një shenjë se jo të gjithë janë në rresht përpara pushtetit. Të paktën derisa pronarët apo drejtuesit e mediave të mos i thërrasin për t’u tërhequr veshin sipas modelit “ç’punë ke ti” apo derisa ndonjëri prej tyre të nisë të shijojë privilegjet e pushtetit.
Zoom.al do të ndjekë me vëmendje se cilët gazetarë të njohur do të jenë në protestë, për të treguar edhe njëherë vijën që ndan ata që punojnë duke mbajtur mbi supe misionin e gazetarit dhe ata që shijojnë kolltuqet e zyrave, makinave luksoze, paratë e projekteve qeveritare apo punësimet e familjarëve dhe të afërmve./Zoom.al