zoom

In Zoom

Gazetarët më të mirë të 2022-shit! I dolën ballë krimit dhe korrupsionit

Barra e të thënit të vërtetën përballë dhe kundër pushtetit ka kosto reale në Shqipëri, e cila përgjatë 2022-shit do të renditej 20 vende më poshtë në Indeksin e Lirisë së Medias, krahasuar me vitin e shkuar.

Në një treg mediatik ku linjat editoriale të shumicës së televizioneve, gazetave e portaleve janë dukshëm të njëanshme, ku interesat e ngushta personale mbajnë peng informacionin dhe qytetarëve u serviret “ajo që duhet”, ka ende gazetarë të cilët bërtasin të vërtetën duke u përpjekur të orientojnë drejt opinionin publik.

Të raportosh me zë e figurë ndodhi kriminale, të zbërthesh afera korruptive, t’i denoncosh ato, t’i bëhesh pengesë krimit e ta nxjerrësh zbuluar janë disa nga betejat e fituara të këtyre gazetarëve shqiptarë, që treguan me prova e fakte se si zhvatet pasuria publike, sesi politika bëhet njësh me krimin për të vjedhur paranë dhe pushtetin.

Klodiana Lala, Artan Hoxha, Klodian Tomorri, Ola Xama, Berat Buzhala, gazetarët e emisioneve investigative, si STOP, Fiks Fare, Piranjat dhe të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative -BIRN e të revistës Monitor, janë ndër emrat kryesorë të gazetarisë së guximshme të vitit 2022 në Shqipëri.

Klodiana Lala


Gazetarja e kronikës së zezë ka mbuluar sistematikisht ngjarje me peshë në vend, përgjatë këtij viti. E pranishme përherë në vendngjarje dhe thuajse në çdo studio ku flitet për krimin; nga bandat e rrezikshme e deri te personazhet publikë të inkriminuar, Lala ka denoncuar haptazi.

Atentate mafioze, arrestime të bujshme, si dhe vrasje tronditëse, gazetarja ka zhbiruar jo pak, duke i paraqitur kështu publikut një tablo më të qartë të asaj se çfarë ndodh dhe çfarë fshihet pas asaj që shohim. 

Klodian Tomorri


Gazetari Klodian Tomorri ka qenë zëri kritik i një sërë çështjesh dhe nxjerrë në dritë korrupsionin qeveritar me disa kontrata abuzive. Ndër kauzat e tij qëndrore për 2022-shin ishte super skandali i Portit të Durrësit. Me fakte konkrete dhe analiza të detajuara, Tomorri ka hedhur në erë të pavërtetat që i janë servirur publikut duke denoncuar atë që konsiderohet si një prej aferave më korruptive të 30 viteve të pas komunizmit, e denoncuar fillimisht në Zoom.al

Ola Xama

Në një vit të gjatë të mbushur me ngjarje, Ola Xama nuk ka heshtur përballë skandaleve, abuzimeve dhe padrejtësive shtetërore. Inceneratorët, rritja e çmimit të energjisë, sulmet kibernetiket dhe Porti i Durrësit janë vetëm disa nga çështjet për të cilat gazetarja ka patur përherë diçka më shumë për të thënë.

“Ku shkoi energjia e prodhuar nga hidrocentralet private”, “Kush do përfitojë nga rritja e çmimit të energjisë” , apo “A do të ketë Shqipëria realisht port tregtar” ishin disa nga pyetjet që ajo u dha përgjigje përmes fakteve. 

Nxjerrja bllof e qeverisë me taksat u bë shkak i një sulmi ndaj saj nga kryeministri Rama. Ndjekja këmba-këmbës e parregullsive të projektit të Durrësit e vuri edhe në fokus të sulmeve të disa mediave. 

Artan Hoxha


Si gjithnjë, gazetari hulumtues ka kurajon të flasë atëherë kur të gjithë heshtin. Godet politikanët e korruptuar, zbulon rrugët e kontrabandës, përmend emra kartelesh dhe analizon çështjet më të nxehta të mafias shqiptare, duke servirur informacione e duke bërë paralajmërime të forta.

Nga rrjetet e drogës, te vrasjet makabre apo emrat më të rrezikshëm të krimit vendas, Hoxha ka përherë diçka për t’i thënë publikut. Deklarata që trondisin dhe që e kanë shndërruar gazetarin thuajse në një brand.

Zhdukja 5 muaj më parë e mbretit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, një mister që shkakton kërshëri për çdo herë që flitet ka qenë një tjetër çështje të cilën Hoxha e ka lakuar jo pak.

Provokues në postime, këtë vit, Hoxha shkoi më pranë burimit të tij të informacionit, në Dubain e të paekstradueshmëve si dhe në Ekuadorin e narkotikëve.

Berat Buzhala

Polemist, provokativ, i guximshëm për t’i vënë shpeshherë emra konkretë abuzimit dhe korrupsionit. Berat Buzhala ishte i vetmi që denoncoi këtë vit kontrabandën e naftës në Shqipëri, duke drejtuar gishtin nga grosistët kryesorë në vend. Denoncimet e tij pasuan disa sekuestrime anijesh të vogla, por autoritetet nuk shkuan asnjëherë tek emrat e përmendur prej tij, si Kastrati. 

STOP, Fiks Fare, Piranjat

Gazetarët e emisioneve investigative janë vënë këtë vit shpeshherë përballë abuzimit dhe korrupsionit në zyrat e shtetit. Jo pak herë, nëpërmjet denoncimeve të tyre, emisionet si STOP, Fiks Fare apo Piranjat, kanë bërë të mundur vënien para drejtësisë të zyrtarëve të korruptuar e po ashtu u kanë dhënë zgjidhje kalvarit të mjaft qytetarëve që nuk arrinin të merrnin çfarë u takonte për shkak të abuzimeve të administratës. 

BIRN vazhdon të qëndrojë në majën e gazetarisë investigative.
Ndërsa këtë vit, ekspertiza e MONITOR i erdhi sërish në ndihmë opinionit publik për të kuptuar se si qepen aferat korruptive me ligje e kontrata që kërkojnë të fshihin vjedhjen, me rastin flagrant si kontrata për Portin e Durrësit.

Viti 2022 shënoi në Shqipëri regres përsa i përket lirisë së shtypit. “Ajo u vu në rrezik nga klima për raportim të lirë e të pavarur, nga qasja e gazetarëve në dokumente zyrtare, mungesa e transparencës nga institucionet shtetërore, kasetat e parapërgatitura apo denigrimi i gazetarëve”, denoncoi në Tiranë një delegacion me përfaqësues nga shtatë organizata partnere të Platformës së Këshillit të Evropë për Siguri të Gazetarëve.

Në një mjedis të tillë, pati edhe gazetarë që nuk u ndalën përballë censurës, denigrimit apo intimidimit, ndonëse janë gjithnjë e më të pakët.

/ Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.