Aplikacion
Një breshëri plumbash kallashnikovi, plot 100 të tillë, të derdhur lumë në oborrin e shtëpisë së 46-vjeçarit Ylli Brahimi, i morën jetën mbrëmë (22 korrik 2022) Klisman Preçit, i cili mbeti i pajetë rrugës për në spital. Ylli Brahimi ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
Pamje nga atentati i mbrëmshëm në Milot
Ata ishin në një makinë të blinduar me targa të Shkupit, xhami i përparmë i së cilës nuk u rezistoi gjatë plumbave të dy kallashnikovëve që u derdhën nga vrasësit. Burime për mediat thonë se makina në fjalë u pa në varrimin e Brilant Martinajt, viktimë e një tjetër atentati të pak ditëve më parë.
Dy janë personat që dyshohet se qëlluan, ndërsa një i tretë i priste me makinën që u gjet e djegur në fshatin Gramëz, një fshat i Fushë Krujës, disa kilometra larg vendit të ngjarjes.
Nuk është e qartë se cili ishte në shenjestër të atentatit. Si viktima ashtu edhe i plagosuri u kanë shpëtuar dy atentateve të tjera, në dy situata të ndryshme.
ATENTATET E MËPARSHME
Në janar të vitit 2021, Ylli Brahimi mbeti i plagosur në këmbë, teksa u qëllua nga dy persona që udhëtonin me motor, në qendër të Laçit. Ai ishte i shoqëruar nga disa miq. Pamjet e kamerave të sigurisë së një biznesi, të publikuara në Zoom.al, tregojnë se si ai arrin t’u shpëtojë plumbave.
View this post on Instagram
Arsyet se përse po tentohet të vritet me çdo kusht mbeten të paqarta zyrtarisht për policinë. 46-vjeçari Ylli Brahimi është marrë në pyetje për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Xhelal Reçi, më 1 nëntor të vitit 2021.
Në fotografi, i plagosuri Ylli Brahimi
Nëse atentati i djeshëm ka lidhje me vrasjen e ish-policit Reçi, mbetet mister fakti se kush e donte atë të vdekur në atentatin e janarit 2021. Ai ishte i proceduar më parë edhe për trafik droge.
Më 14 maj të këtij viti shenjestër e një atentati do të mbetej Klisman Preçi. Ai ishte duke udhëtuar më një automjet me tip ML, së bashku me kushëririn e tij Blerim Preçi.
Viktima Klisman Preçi
Klismani, 28 vjeç, mbeti i plagosur. Policia nuk ka ende të dhëna se përse u tentua të eliminohej në maj dhe po kështu as se kush e vrau atë dje në Laç.
Vrasja e ndodhur në derën e shtëpisë së Ylli Brahimit, teksa po ktheheshin nga një kafe me një makinën e blindur vjen vetëm 6 ditë pas atentatit me 3 viktima në mbikalimin e Fushë Krujës.
VRASJA E FUSHË KRUJËS
Në rrugën Fushë Krujë-Thumanë, breshëria e kallashnikovëve do të shkaktonte tre viktima: Brilant Martinajn, 23 vjeç; Dikler Vatën, 30 vjeç dhe Besmir Hoxhën, 34 vjeç.
Në foto: Tre viktimat e atentatit të Fushë-Krujës
Martinaj dhe Hoxha do të përfundonin të shkrumbuar. Pasi i vranë, atentatorët i vunë flakën makinës së tyre. Dikler Vata kishte dalë prej saj dhe u ekzekutua në tentativë për të ikur.
Bilanci ësht alarmant, si nga numri i viktimave ashtu edhe nga natyra e ashpër kriminale dhe mafioze.
LIDHJE MES DY ATENTATEVE?
Policia dyshon se mes dy atentateve mund të ketë lidhje. Në media, gazetarë të ndryshëm thonë se është e njëjta dorë që kreu ekzekutimet. Sipas tyre, bëhet fjalë për një grup profesionishtësh që po i kryejnë ekzekutimet kundrejt pagesave të majme.
Vetëm për atentatin e Fushë – Krujës u dogjën dy makina të vrasësve me pagesë dhe një tjetër u zhduk.
Aludimet në media janë për një përplasje mes dy grupeve të fuqishme kriminale, njëri që vepron në Fushë Krujë – Laç dhe tjetri në Durrës.
Zanafilla e kësaj përplasje të përgjakshme duket se është vrasja e ish -policit Xhelal Reçi, pas një plagosje që bëri djali i tij.
Në foto: Xhelal Reçi
Konflikti mes tyre duket se është ndezur më shumë pas publikimit të dëshmisë së vrasësit me pagesë, Nuredin Dumani, i cili ka përmendur disa emra të njohur të botës së krimit që i kishin premtuar atij shuma marramendëse parash për kryer vrasjen e rivalëve.
AKSI I VRASJEVE MAFIOZE
Aksi Fushë Krujë – Laç – Milot – Lezhë është i njohur për ngjarje të vazhdueshme kriminale. Përplasje bandash, grabitje biznesmenësh, djegie makinash të përdorura në atentate të kryera edhe në qytete të tjera.
Aty u zhduk edhe motori i vrasësve të bankierit Artan Santo. Nikla konsiderohet si kryeqendra e aktivitetit kriminal, ku sipas të dhënave mediatike mund të gjesh kollaj vrasës me pagesë.
Policia duket e pafuqishme. Aksionet e saj sporadike nuk kanë sjellë ndonjë rezultat. Ndërsa puna e policisë kriminale duket sa e kompromentuar aq edhe e padobishme. Vrasësit e mbrëshmshëm janë të lirë, ashtu sikurse edhe ata të atentatit me 3 viktima në mbikalimin e Fushë – Krujës.
Gjasat janë që grupet rivale po përgatisin të tjera plane për të eliminuar njëri – tjetrin, ndërsa policisë i ka mbetur vetëm regjistrimi dhe numërimi i të vrarëve për statistikë. /Zoom.al