zoom

Ekonomi

Furrat njoftuan se do të rrisin çmimin e bukës, Autoriteti i Konkurrencës nis hetim

Pas rritjes se çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës që janë edhe pastiçeri apo bar-kafe, Autoriteti i Konkurrencës ka nisur monitorim të tregut që të mos rritet çmimi.

Monitorimi ka nisur pas lajmërimeve nga furrat dhe shoqata e përfaqësisë së tyre, se do t rritet çmimi fundor i bukës, pasi janë shtuar kostot e energjisë.

“Sot në datë 01.11.2024 Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga informacione mediatike në lidhje me njoftimin e furrave të bukës për rritjen e çmimit të bukës, filloi monitorimin e menjëhershëm në terren për evidentimin e çdo sjelljeje abuzuese në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”. Ligji “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi”, njoftoi Konkurrenca.

Në rast të kapjes së shkeljeve, AK gjobit subjektet me 10% të xhiros së tyre vjetore.

Në muajin prill, Enti i Entit Rregullator të Energjisë miratoi çmimet e reja të shitjes energjisë elektrike për klientët furra buke dhe prodhim mielli që do të aplikohen nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU).
Për secilën kategori, është miratuar edhe çmimi i energjisë aktive në orar piku, që për periudhën 1 nëntor – 31 mars është 18:00-22:00, ndërsa për periudhën 1 prill – 31 tetor është 19:00-23:00.

Sipas vendimit të Bordit të ERE, për kategorinë e parë ku përfshihen furrë buke dhe prodhim mielli, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 7.6 lekë/kWh, ndërsa çmim në orar pik është 8.74 lekë për kWh.
Për kategorinë e dytë ku përfshihen subjektet furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 9.5 lekë/kWh, ndërsa çmimi në orar pik është 10.93 lekë/kWh.

Për kategorinë e tretë ku përfshihen subjektet furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim kafe (ekspres), çmimi i shitjes së energjisë elektrike është 12 lekë/kWh, ndërsa çmimi në orar pik është 13.80 lekë/kWh.

Postime të lidhura