Aplikacion
Megjithatë, ka një grimcë lehtësimi në shumë kryeqytete të BE-së, të qeverisura nga centristët, si dhe brenda vetë Gjermanisë, sepse rezultatet e zgjedhjeve përputhen me ato që parashikuan sondazhet.
Pavarësisht mbështetjes së zëshme nga njeriu më i pasur në botë, Elon Musk, si dhe nga udhëheqësit populistë të ekstremit të djathtë, AfD-ja doli në vendin e dytë, larg pas partisë së qendrës së djathtë, CDU/CSU.
CDU/CSU doli e para me rreth 30 për qind të votave dhe udhëheqësi i partisë, Friedrich Merz, ka thënë se do të preferonte të kishte vetëm një partner koalicioni, duke shmangur kështu strukturën e vështirë trepartiake të Qeverisë së mëparshme gjermane, e cila ka rënë si pasojë e grindjeve të brendshme.
Pra, siç është parashikuar për kohë të gjatë, do t’i takojë Merzit të përpiqet që ta krijojë qeverinë.
Dhe, e vetmja gjë që është pak a shumë e sigurt, është se AfD-ja nuk do të jetë pjesë e bisedimeve, sepse të gjitha partitë e mëdha e kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me të.
Pyetja është nëse Merz do t’ia dalë. Numrat tregojnë se atij mund t’i duhen së paku dy parti për të siguruar shumicën parlamentare.
Dy opsionet kryesore janë SPD-ja e qendrës së majtë, e udhëhequr nga kancelari aktual, Olaf Scholz – e cila humbi gati 10 për qind të votave në krahasim me katër vjet më parë dhe mori vetëm 16 për qind – dhe Të Gjelbrit, të cilët përfunduan të katërtit me 14 për qind.
Gjëja kryesore për t’u vëzhguar është nëse FDP-ja liberale dhe Sahra Wagenknecht dhe partia e saj e ekstremit të majtë, BSW, kalojnë pragun e kërkuar prej 5% dhe hyjnë në parlament.
Nëse të dyja këto parti e arrijnë këtë, Merz ka të ngjarë të detyrohet që të kërkojë më shumë se një partner koalicioni.
Tani, një çështje e madhe është se sa kohë do të duhet për të formuar një qeveri të re?! Merz ka thënë se dëshiron që gjithçka të bëhet e qartë deri në gjysmën e dytë të prillit – më së voni.
Sa më shpejt që ia del, aq më mirë. Ekonomia gjermane ka kaluar dy vjet radhazi në recesion. Shumë votues presin, gjithashtu, që rregullat e imigracionit të shtrëngohen, sidomos pas disa sulmeve vdekjeprurëse në muajt e fundit, për të cilat janë fajësuar imigrantët.
Por, sfida më e madhe e menjëhershme do të jetë qasja ndaj administratës së re të SHBA-së, si dhe të sigurohet që Evropa e ka fjalën e saj në çdo marrëveshje të mundshme të bërë mes SHBA-së dhe Rusisë për Ukrainën.
Merz ka disa tipare të ngjashme me presidentin amerikan, Donald Trump: të dy nuhasin nga biznesi dhe janë lojtarë të etur për shembull. Por, a do të mjaftojë kjo?
Lufta e pritur tregtare transatlantike do të godiste rëndë ekonominë gjermane, të orientuar nga eksporti. Trump ka thënë se, së shpejti, do të vendosë tarifa të larta për makinat gjermane dhe shumica e partive politike gjermane, përfshirë CDU/CSU-në, janë të bindura se duan të vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën, si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht.
Kancelari i ri gjerman do të përballet me shumë sfida. Dhe, Evropa do të presë nga Gjermania që të marrë drejtimin në shumë çështje. Për shembull, vendet e tjera evropiane do të shohin nga Gjermania nëse është e gatshme të dërgojë trupa për të mbikëqyrur armëpushimin e mundshëm në Ukrainë./REL
“Ndyrësirë!Ky është kërcënim”, Veliaj publikon nga burgu bisedat e gjyqit me prokurorin Ols Dadon