Aplikacion
Ceremonia u mbajt sot në mesditë në Vlorë. Me lot në sy, familjarët bëjnë thirrje për drejtësi dhe dënimin e autorit të krimit, Eduart Danaj, 50 vjeç i cili është arrestuar tashmë nga policia greke dhe do të përballet me akuza të rënda.
Të afërmit e Enkelejdës pranojnë se çifti kishte pasur konflikte të herë pas hershme. Thirrjet që ngjarje të tilla të mos përsëriten më nuk mungojnë. Enkelejda Danaj u vra më 16 maj nga ish-bashkëshorti i saj, Eduart Danaj. Ai e qëlloi të paktën 10 herë me thikë në Menidi dhe u largua nga vendi i ngjarjes. Ata ishin ndarë prej 1 viti e gjysmë, ndërsa 40-vjeçarja kishte denoncuar të paktën 3 herë rastet e dhunës, por ai ishte arrestuar dhe lënë i lirë.
Pasi u arrestua, 50-vjeçari tha se nuk është penduar, pasi gruaja e tij kishte prej vitesh lidhje jashtëmartesore. “Nuk mund ta shihja të dashurin e saj duke drejtuar makinën dhe fotot e tij në Facebook”, tha ai.
Para hetuesve grekë ai ka dhënë detajet e krimit që kreu. “U zgjova në mëngjes dhe shkova në atë vend pasi e dija që do kalonte, deri në orën 5.30 të mëngjesit. Kur e pashë, nxora thikën dhe fillova ta godas. Më pas u largova në këmbë dhe shkova në një hotel. U ula për pak dhe më pas u largova”.
I pyetur nga policia se pse e ka kryer krimin e rëndë, autori i vetë-rrëfyer dyshohet se është përgjigjur se “nuk duroja dot të shikoja të dashurin e saj duke drejtuar makinën time”. “Unë punoja dhe ajo po më hante paratë. Dje mora vendimin për të vrarë gruan time. Të punoj dy punë që të mi hajë ai? E dija kur do të dilte nga shtëpia. E qëllova dhe e godita me thikë. Më pas shkova në një hotel ku qëndrova rreth dy orë. Pastaj dola jashtë. Piva disa birra derisa policia më gjeti”, ka thënë i ndaluari. /ZOOM.AL/