zoom

Aktualitet

FOTO/ Sulmoi me plumba Policinë për të mbrojtur parcelën e hashashit, prangoset 48-vjeçari

Qëlloi me armë zjarri gjatë ndërhyrjes nga Policia në aksion antikanabis, pasi në parcelë kishte kultivuar bimë narkotike, arrestohet në flagrancë 48-vjeçari i dyshuar dhe për fat të mirë plumbat nuk lënduan askënd nga uniformat blu.

Komisariati i Policisë Krujë njoftoi sot se ka finalizuar operacionin policor i koduar “Danger”. Gjatë operacionit u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me krehër dhe municion luftarak, bimë të dyshuara narkotike, një shkop bejzbolli, një përforcues grushti dhe një celular.

“Komisariati i Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “Territor i pastër”, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Danger”.

Si rezultat i tij u arrestua shtetasi A. S., 48 vjeç, banues në Arrameras. Gjatë kontrollit në Kodër Bubq, është konstatuar një parcelë ku u gjetën 64 bimë të dyshuara narkotike kanabis”, tha policia.

Dhe më tej sqaroi se “gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në parcelë, shtetasi A. S. ka qëlluar në ajër, me armë zjarri”.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së autorit të dyshuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan së bashku me bimët dhe armën e zjarrit, një përforcues grushti dhe një shkop bejzbolli. /ZOOM.AL/