Aplikacion
Në foton e mëposhtme, Aliaj shfaqet me flokë të gjatë dhe pa mjekrën e tij karakteristike, me qëllim kamuflimin e pamjes fizike.
Ai u gjurmua nga Interpol Tirana dhe Drejtoria për Marrëdhëniet me Jashtë në Policinë e Shtetit. Duke bashkëpunuar me policinë greke, ata e arrestuan Jani Aliajn për ta ekstraduar në Shqipëri.
Jani Aliaj është arrestuar rastësisht mëngjesin e 31 dhjetorit në Athinë.
Ai rezulton i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Elton Çiços për hakmarrje, ngjarje kjo e ndodhur më 1 maj të vitit 2016 në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Gjatë kontrollit të të dhënave të tij në sistemin elektronik, ka rezultuar se ai mbante një kartë identiteti false greke, me emrin Aleksan Kreshnik me vitlindje 1976 dhe për këtë është shoqëruar në stacionin e policisë Moskato për hetime të mëtejshme.
Nga verifikimi i mëtejshëm në sistem, rezultoi se ai ishte arratisur nga burgu i Korfuzit më 1 qershor 2015, duke shkelur lejen e rregullt 11-ditore.
Në burg ai vuante dënim me burgim të përjetshëm për vrasjen e një shtetasi shqiptar, plagosje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, për ngjarje të ndodhura në vitin 2006 në Athinë.
Gjithashtu rezultoi se ky shtetas kërkohej në nivel ndërkombëtar për dy raste vrasjesh, të ndodhura në Shqipëri në tetor 2015 dhe maj 2016.