zoom

Politikë

Foto me kupolën e Bashkisë së Kavajës/ PD nxjerr bllof autorin e plagosjes së sekretarit të saj

Pas video-komunikimit të Ndriçim Jonuzit, autorit të plagosjes së sekretarit të degës së PD-së në Kavajë, Bledi Mane ka reaguar Partia Demokratike, përmes një deklarate. Kjo e fundit rrëzon versionin e Junuzit, sipas të cilit ajo cka ndodhi nuk kishte të bënte me politikën dhe se madje ai nuk ishte socialit sic u pretendua, por demokrat i persekutuar.

Më herët Rama tha se kjo ngjarje nuk kishte lidhje me politikën, por se autori i saj, Ndriçim Jonuzi njihej si mbështetës i PD-së dhe jo PS-së. Po për PD-në kjo nuk qëndron, ndaj shprehet se Rama gënjen dhe se dhunuesit, pra Jonuzi akoma nuk është arrestuar.

“Edi Rama merret me gënjeshtra dhe manipulime ndërkohë që dhunuesit nuk janë arrestuar akoma! Asnjë gënjeshtër nuk e ndihmon dot Ramën, sepse të gjitha faktet dëshmojnë se sulmuesit e djeshëm janë njerëzit e tij dhe kanë vepruar me qëllim. Ky është një sulm kriminal kundër demokracisë sonë nga një njeri që tashmë e di se do t’i humbe zgjedhjet. Të dielën ne do të fitojmë dhe do të sjellim ndryshimin, për të cilin Shqipëria ka nevojë!”, thuhet në reagimin e PD-së.

Këtë deklaratë, selia blu e shoqëron me një foto ku jepet Ndriçim Jonuzi në një tavolinë me kryetarin e bashkisë së Kavajës, Redian Krali si dhe me një tjetër person që dyshohet se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe që është punonjës i policisë bashkiake dhe disa persona të tjerë duke drekuar në një restorant në qytetin e Kavajës.