zoom

Ekonomi

FOTO/ Aeroporti i Rinasit nuk u përgjigjet dot kërkesave të shtuara për udhëtime me avion

Qeveria shqiptare fillimisht, dhe Kuvendi më pas, miratuan ndryshimet në marrëveshjen koncensionare të aeroportit të Rinasit, me anë të të cilave synonin, jo vetëm të ulnin çmimin e biletave të fluturimit, por edhe të rrisnin kapacitet e përpunuese të pasagjerëve dhe mallrave të aeroportit.

Kjo si një përpjekje për t’iu përgjigjur sfidave të zhvillimit të turizmit në vend, ku aeroporti i Rinasit konsiderohet si porta kryesore hyrëse e të huajve në vendin tonë.

Ndonëse marrëveshja e re ka më shumë se një vit që ka hyrë në fuqi, ndryshimet për të cilat flet kontrata e re mbeten ende në letër.

Situata në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit mbetet ende e njëjtë dhe e tillë pritet të jetë edhe për shumë kohë.

Kjo pasi kompania që ka fituar kontratën e re koncensionare, ndonëse kishte premtuar të kryente investime në vlerën e 100 milionë eurove, ka vendosur të bëjë disa ndërhyrje alla-shqiptarçe, që nuk justifikojnë as vlera mijëra euro, e jo më miliona euro.

Një prej këtyre investimeve të parashikuara në planin e investimeve që shoqëron kontratën e re, është edhe ajo për zgjerimin e terminalit të udhëtarëve.

Zoom.al zbuloi pak ditë më parë se koncensionari për këtë investim që duhet të kushtonte afro 24 milionë, ka vendosur të bëjë një modifikim të terminalit aktual.

Duke shfrytëzuar lartësinë e objektit ekzistues, koncensionari ka nisur punimet për ndarjen e terminalit ekzistues në dy të tillë.

Zoom.al ka siguruar edhe pamjet nga punimet që po kryhen, ku vihet re se në hyrjen e terminalit nga ana pistës janë vendosur disa shkallë të mëdha, të cilat të çojnë në katin e dytë të terminalit të pasagjerëve, aty ku do të ketë një vendqendrimi për pasagjerët që presin të udhëtojnë, por edhe disa dyqane të reja.

Një zgjidhje kjo që nuk është as praktike për pasagjerët që duhet të ngjisin shkallët duke mos patur shkallë të lëvizshme dhe as nuk zgjidh problemin që ka të bëjë me rritjen e kapacitetit të përpunimit të pasagjerëve.

Por ndërsa pronari i ri, grupi Kastrati ka vendosur ta mbajë aeroportin me të njëjtat kapacitete, numri i fluturimeve dhe pasagjerëve që udhëtojnë nëpërmjet këtij aeroporti rritet çdo ditë.

Vetë qeveria ka bërë të ditur se këtë vit pret rreth 6 milionë pasagjerë që do zgjedhin aeroportin e Rinasit si portën hyrëse në vendin tonë.

Pra nëse këtë shumë e pjesëtojmë me ditët e vitit atëherë i bie që aeroporti ndërkombëtar i Rinasit të përballojë afro 16 mijë udhëtarë çdo ditë.

Një numër ky vërtetë i madh dhe i pamundur që të menaxhohet duke ofruar cilësinë e nevojshme të shërbimit për pasagjerët.

Këtë e tregoi edhe eventi ndërkombëtar i finales së Conference League, ku vetë aeroporti ka bërë të qartë se nuk ka kapacitetet e nevojshme për të menaxhuar një fluks të tillë fluturimesh dhe pasagjerësh, jo vetëm në aspektin e burimeve njerëzore, por edhe të hapësirave.

Vetë Drejtori i Përgjithshëm i aeroportit deklaroi dje për mediat se vetëm për të përballuar fluksin e tifozëve që vijnë për ndeshjen i duhet të rriste kapacitetet përpunuese të pasagjerëve me 3 herë më shumë.

Nuk është e qartë nëse qeveria, në veçanti Ministria e Infrastrukturës, e Belinda Ballukut, ai autoritet kontraktues është në dijeni të kësaj zgjidhje që i ka dhënë koncensionari çështjes së zgjerimit të terminalit apo nëse ata do të reagojnë pas vënies në dijeni përmes mediave, për të kërkuar respektimin rigoroz të kontratës të votuar në parlamentin shqiptar, për t’i dhënë Shqipërisë një aerport ndërkombëtar modern./Zoom.al