zoom

Aktualitet

Fondet e SASPAC, 5 vetë nën akuzë. Si ngriti ish-ministri Beqaj skemën e zhvatjes, faturat fiktive

Zbardhen të tjera detaje në lidhje me arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe dy bashkëpunëtorëve të tij, teksa dy të tjerë janë në gjendje të lirë.

SPAK ka lëshuar 5 masa sigurie të miratuara sot nga GJKKO, 3 prej tyre “arrest me burg” dhe 2 “arrest shtëpie”. Po ashtu është urdhëruar nga ana e SPAK dhe kontrolle në dy banesa.

Bëhet fjalë për institucionin e SASPAC. mbledhja dhe abuzimi me fondet, nëpërmjet faturave fiktive, ku të implikuar dyshohen ish-ministri dhe vartësit e tij.

Kjo, përmes një skeme të lëshimit të faturave fiktive, të cilat mesa duket zyrtarët e SASPAC, agjencisë së drejtuar nga Beqaj, kërkonin të mbulonin shpenzimet e pajustifikuara, por që me sa duket ishin kthyer në shpërdorime abuzive, që kishin dalë jashtë kontrollit. Fatura të cilat rezulton se plotësoheshin nga një rreth miqsh të lidhur ngushtësisht me ish-ministrin Beqaj, por edhe me zyrtarët e oborrit të tij në SASPAC, njerëz të lidhur me biznesin apo që kishin krijuar Organizata Jo Fitimprurëse.

Atyre u kërkohej në formën e një favori, të plotësonin këto fatura, që shkonin në shumën e mijëra eurove, për aktivitete të cilat në të vërtetë Agjencia nuk i kishte kryer. Sipas hetimit të kryer nga SPAK, një nga personat kyç në këtë aferë del të jetë Ermal Kurtulaj, i cili kishte rolin e koordinatorit të programit EUSAIR Facility Point, një projekt strategjik i 9 partnerëve europianë në tetë vende, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Kurtulaj konsiderohej brenda SASPAC si njeriu i besuar i drejtuesit të kësaj agjencie, Ilir Beqaj, detyrë të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e mbajti deri në vitin 2016, pavarësisht se në kohën kur u emërua nga kryeministri Rama në krye të SASPAC, ai ishte marrë në hetim nga Prokuroria e Posaçme, për dy dosje të dyshuara korruptive.

Personi nën hetim Ermal Kurtulaj, është i punësuar si koordinator i projektit Eusair Facility Point dhe dyshohet se gjatë veprimtarisë së tij si koordinator i këtij projekti ka kryer veprime të kundërligjshme nëpërmjet kërkimit dhe pranimit të lëshimit të faturave fiktive nga subjekte të ndryshme tregtare, duke paguar shërbime që nuk kryhen prej tyre. Duke vendosur vlera fiktive në faturime për qëllime të përfitimit material, si dhe është përfshirë në veprime korruptive për qëllime të përfitimit. /ZOOM.AL/