Aplikacion
“Ne ritheksojmë shqetësimet tona për ligjin e propozuar të amnistisë fiskale, duke pasur parasysh rreziqet e pastrimit të parave dhe qeverisjes, si dhe ndikimin negativ në përmbushjen tatimore”, -ishte deklarata e shefes së Misionit të FMN për Shqipërinë, znj. Yan Sun.
Vetëm pak javë më parë edhe Komisioni Europian bëri një deklaratë shqetësuese, duke nënvizuar se aministia do të shërbejë për pastrimin e parave.
Por për kryeministrin shqiptar, ata ndërkombëtarët që e kritikojnë, nuk e kuptojnë. “Ata kanë punët në rregull”, do të thoshte ai pas kritikave të BE, të cilave iu kundërvu me pyetësorin e dyshimtë kombëtar.
“Amnistinë e kërkojnë 60 % e shqiptarëve. Ju qani hallin sa do mërzitet BE-ja apo sa do mërzitet Amerika? Çfarë halli qani? Këta i kanë punët në rregull”, deklaronte Rama.
Edhe pse të gjitha organizmat ndërkombëtarë janë kundër Amnistisë, Edi Rama nuk tërhiqet.
Kundërshtarët e tij thonë se arsyet janë disa. Ekonomia është në krizë, arka e shtetit e boshatisur nga pagesat për PPP-të e kripura, paratë e korrupsionit galopant duhen pastruar.
Dikush e akuzon se i nevojiten edhe paratë e drogës së grupeve kriminale brenda e jashtë vendit, veçanërisht përpara fushatës elektorale. Këto akuza përkojnë me periudhat parazgjedhore të kanabizimit të Shqipërisë, ku sipas opozitës, paratë e kanabisit janë përdorur për të blerë votat.
Edhe pse disa raporte ndërkombëtarëe tregojnë se paratë e drogës po pastrohen lehtësisht në sektorin e ndërtimit, kryesisht në Tiranë, të dhëna jozyrtare flasin për sasi të mëdha të parave që qarkullojnë jashtë sektorit bankar.
“Qarkullojnë 2 miliardë dollarë para të pista. Me to mund të blihen deputetë në zgjedhje”, deklaronte ambasadori i OSBE para fushatës së zgjedhjeve 2017. Kjo shifër dyshohet se është dyfishuar, e ndarë mes parave të drogës, të korrupsionit dhe të evazionit fiskal të disa kompanive të mëdha, përfituese të PPP-ve dhe tenderave publikë.
FMN, BE, SHBA dhe organizma të tjerë duan që qeveria ta luftojë pastrimin e këtyre parave e të çojë para ligjit evazorët, trafikantët dhe të korruptuarit. Ndërsa Edi Rama synon t’i amnistojë këto grupime, duke u ofruar një mbrojtje ligjore pefekte.
Ai thotë se ka pyetur shqiptarët, por pyetja që do të duhet t’u bëjë qytetarëve dhe ndërkombëtarëve duhet të ishte “a duhet t’i falim ata që na vjedhin, ata që shesin drogë dhe u ikin taksave”?
Ndërkombëtarët janë të shqetësuar se pastrimi i parave të drogës dhe korrupsionit i nxit edhe më shumë këto aktivitete. Nëse një grup i narkotrafikut arrin që t’i pastrojë paratë, ai do të ketë më shumë mundësi të rekrutojë anëtarë të tjerë, kryesisht të rinj. Nëse një biznesmen, apo një pushtetar nëpërmjet biznesmenëve, arrin të pastrojë paratë e korrupsionit dhe evazionit fiskal, ai do ta zgjerojë këtë aktivitet dhe po ashtu do të konkurrojë padrejtësisht me biznesmenët e ndershëm.
Sigurisht që Edi Rama i di rreziqet. Këmbëngulja e tij për të mos u tërhequr shton dyshimet se qëllimet e tij janë pikërisht ato për të cilat shqetësohen FMN, SHBA e BE: një interes i drejpërdrejtë në pastrimin e parave, që nuk ka të bëjë aspak me justifikimin e tij se “po legalizon paratë e emigrantëve, që u është deshur të flenë edhe në pemë për të fituar sa më shumë në të zezë”. /Zoom.al