Aplikacion
Qendra Kombëtare e Kinematografisë njoftoi dje se komisioni pranë saj përzgjodhi filmin dokumentar me regji nga Ardit Sadiku.
QKK shprehet se në këtë film dokumentar nga Ardit Sadiku sakrificat e shqiptarëve për liri janë subjekt i tij.
“Një ngjarje sa e rrallë, dhe po aq përfaqësuese e shumë të tjerave që dëshmojnë sakrificat e jashtëzakonshme të shqiptarëve për liri, është subjekti i këtij dokumentari. Kjo është historia e mekanikut të flotës detare Aleksandër Gruda, i cili në vitin 1990 rrëmbeu një anije luftarake dhe u arratis nga Shqipëria. Liria për të dhe familjen e tij, erdhi vetëm në këmbim të një sakrifice të madhe”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.
QKK shprehet se përzgjedhja e filmit dokumentar “Alexander” u bë nga komisioni që përbëhej nga z. Arben LAMI (kryetar) dhe anëtarë: znj. Gerta Qurku, z. Eno Milkani, z. Genc Përmeti dhe z. Florenc Papas”. Ky është dhe film dokumentar i parë, që është kandidaturë e vendit tonë për çmimet “Oscar”.
Çmimet do të akordohen nga The Academy of Motion Pictures Arts and Sciences në ceremoninë e përvitshme, më 10 mars 2024.
Filmi dokumentar “Alexander” pas premierës në festivalin e filmit “Dokufest” në Prizren në Kosovë më 6 gusht pritet që të shfaqet muajin që vjen dhe në Tiranë dhe në qytetin e Shkodrës.
Më 5 tetor do të shfaqet në kinema Cineplexx dhe Qendra e Artit Agimi në Tiranë, si dhe në kinema Millennium Shkodër.
Aleksandër Gruda, portier në një nga hotelet e Trump në New York, është heroi i dokumentarit të fundit nga regjisori Ardit Sadiku. Gjatë rënies së komunizmit në Shqipëri në vitin 1990, mekaniku i anijeve luftarake i quajtur Aleksandër Gruda ndërmori një nga bëmat më të guximshme të historisë së fundit njerëzore. Menjëherë pasi u pushua nga Marina Shqiptare, Aleksandri dhe miqtë e tij hartuan një plan piraterik për të vjedhur një anije luftarake me qëllim që të largoheshin nga vendi; kundër të gjitha gjasave, ata ia dolën drejt Jugosllavisë edhe pse duke u sulmuar me mortaja, helikopterë dhe mitraloz. Më herët regjisori Ardit Sadiku ka treguar se në përgjithësi, ky film bazohet në një gjuhë të ndërtuar kinematografike dhe shqisore për ta çuar audiencën pas në kohë në një moment shumë specifik – 11 shtator 1990, kur Aleksandër Gruda dhe familja e tij hynë në një nga aventurat më të guximshme të Luftës së Ftohtë.
“Alexander” (2023) u realizua me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK) dhe ishte një bashkëprodhim me Bayou Road Films, me bazë në SHBA.
Filma të tjerë të regjisorit Ardit Sadiku janë “Freestyle” dokumentar me metrazh të gjatë; “Shirit” film i shkurtër; si dhe filmat e gjatë artistikë “Takimi në ajër”, “Mali i harruar” dhe “Life Between the Waters”.