zoom

Slider

Fidel Ylli insiston: Të rihapen bastet dhe me paratë të ndihmohet sporti

Pak kohë më parë ishte përfaqësues i qeverisë në negociatat me Ligën Profesioniste të futbollit, që kërkonte një ligj të ri për sportin dhe kishte edhe disa pretendime të tjera si ndihmë nga shteti. Sot Fidel Ylli është në një tjetër pozicion, atë të presidenti të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, dhe kërkon me ngulm nga qeveria të ndihmojë sportin nëpërmjet basteve.

Në një mbledhje të zhvilluar sot në Ministrinë e Sportit, ai ka pësëritur me zë të lartë kërkesën e tij drejtuar qeverisë për hapjen e basteve, në mënyrë që një pjesë të fitimeve të shkojë për sportin.

“Duam që këto para t’i kontrollojë qeveria, jo federata dhe as KOKSH-i. Janë të ardhura jo vetëm për sportin. Janë miliona euro, e dinë të gjithë dhe ato para të shkojnë për sportin, për këta kampionë që janë këtu dhe që e kanë nderuar Shqipërinë”, – theksoi Ylli gjatë mbledhjes së sotme.

Më tej kreu i KOKSH-it shtoi: “Na dha 200 milionë lekë ministria për në Olimpiadë dhe ne ua akorduam sportistëve tanë, që të stërviten. Ato stërvitje dhanë rezultat me një kampion bote dhe dy medalje të tjera në stilin e shkëputjes në Uzbekistan. Nuk duam të nxjerrim atletët tanë, që me trofetë dhe me medaljet e tyre të bëjnë grevë përpara kryeministrisë, por të sensibilizojmë qeverinë dhe kryeministrin.

Ato para të bëhen qendra olimpike, sporti nuk është një garë, por cilësi jete. Nuk mjaftojnë stadiumet e reja dhe zyrat, sepse nuk më duhen zyrat e KOKSH-it dhe projekti 5 milionë euro, nëse këto projekte nuk balancohen me buxhetet e federatave”.

Kohët e fundit ka qarkulluar lajmi se buxheti i qeverisë për sportin për vitin 2022 është reduktuar ndjeshëm. Më pas u tha se bëhet fjalë vetëm për një pjesë të këtij fondi, ndaj dhe mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë konkretisht me grantin për federatat.