zoom

Aktualitet

Fertilizimi In Vitro shumë shpejt në spitalet shtetërore shqiptare

Në Maternitetin “Koço Gliozheni” po krijohen kushtet për të realizuar procedurën e riprodhimit in vitro falas. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka dhënë lajmin nga Materniteti “Koço Gliozheni”, ku po realizohet Qendrën e Riprodhimit të Asistuar, e para në strukturat e shëndetit publik në Shqipëri.

“Programi i riprodhimit in-vitro është i parashikuar në buxhetin e shtetit të vitit 2023 për të ofruar cilësi dhe kushte optimale për ata pacientë, të cilët do të bëhen prindër falë procedurës së riprodhimit të asistuar. Materniteti “Koço Gliozheni” është një prej strukturave tona që do ta realizojë i pari këtë program. Një program, i cili më pas do të shtrihet dhe në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, po sigurisht na nevojitet që jo vetëm të kemi infrastrukturën dhe pajisjet e nevojshme, por të kemi edhe stafin, i cili kërkon një specializim dhe kërkon një trajnim dhe edukim në vazhdim përsa i përket këtyre teknikave”, tha Ministrja Manastirliu.

Më herët, kryetarja e komitetit të Helsinkit, Erida Skëndaj e cila ka treguar se ligji për ofrimin e këtij shërbimi në spitalet publika ka 20 vite që është miratuar por nuk është zbatuar.

Sipas saj, shkak për mosofrimin e fertilizimit in vitro në publik është mungesa e akteve nënligjore.

Pas 20 vitesh, riprodhimi i asistuar do të garantohet falas, sipas një projeksioni duke filluar nga 100 raste në vit.

Kjo qendër do te jetë e organizuar me: 2 biologe, 2 obstetër-gjinekologë të dedikuar, 2 infermiere dhe 2 anestezistë. Investim për qendrën e riprodhimit të asistuar në maternitetin “Koço Gliozheni” pritet të përfundojë brenda shtatorit të këtij viti.

Një nga arsyet pse është vonuar aq shumë fertilizimi in vitro në publik është edhe dypunësimi i mjekëve.

Në stafin mjekësor të shërbimit të obstetro-gjinekologjisë në spitalet private, gjen mes tyre emra që punojnë edhe në shërbimin publik, në dy maternitetet e mëdha në Tiranë.