zoom

Aktualitet

“FBI dhe DEA nuk kanë ikur nga SPAK”/ Analiza e Eduard Halimit: Tërmeti glonal i shembjes së USAID

Nga Eduard Halimi

Pyetjet që shkaktuan tërmetin Global të shëmbjes së USAID. Shqipëria, të vërtetat e 5 çështjeve mbi reformën 10 vjet më parë dhe nevoja për një reformim të avancuar pro Doktrinës Trump 2025!
Ka një përpjekje për t’i ikur të vërtetës mbi efektin global të Doktrinës Trump 2025 dhe efektet e saj në Shqipëri. Në një muaj në detyrë, kjo doktrinë tronditi botën, duke e zhveshur politikën nga propaganda sfilitëse e majtë që kishte pushtuar njerëzimin. Për drejtësinë, tërmeti filloi prej aty. 98 akuzat penale ndaj Trump në SHBA u shuan si politike, prokurorë dhanë dorëheqjen, prokurorët e emëruar nga Soros u urdhëruan të largohen, USAID u pezullua në gjithë botën, përfshirë dhe Shqipërinë. OPDAT dhe USAID u larguan nga institucionet. Lideri i opozitës në Shqipëri doli nga izolimi, drejtësia e posaçme penale kreu arrestimin më të rëndësishëm në këto 10 vjet të një zyrtari në detyrë nga pushteti!
Retorika politike ndryshoi befas menjëherë sapo drejtësia penale nuk njoftonte më qeverinë mbi hapat dhe as ndërmjetësit e saj.
Më shumë se 3 herë në ditë pushteti përmend se amerikanët e braktisën drejtësinë e posaçme. E vërteta është se USAID dhe OPDAT janë larguar, por njësitë e përbashkëta hetimore të FBI dhe DEA, JO!. Janë aty në drejtësinë e posaçme. Ndaj entuziazmi i lajmit të braktisjes nuk duket të jetë i justifikuar.
Por ka një lajm për USAID dhe drejtësinë në Shqipëri dhe ai zbërthehet thjesht me pyetjet e kongresmenes amerikane Marjorie Taylor Greene, e cila në mënyrë shkatërruese i përmblodhi në deklaratën e saj:
“Pyetjet e vërteta, përgjigjet e të cilave duhet t’i dinë qytetarët, janë këto:
• Pse USAID po financonte programe të përbashkëta me fondacionet e Sorosit për të promovuar agjenda radikale sociale në botën në zhvillim?
• Pse USAID është përfshirë në financimin e ndryshimeve gjyqësore në Shqipëri që rezultuan në përndjekjen e liderit të opozitës shqiptare?
• Pse USAID është përdorur si mjet nga demokratët (e majta) për të bërë lavazh truri në mbarë botën me propagandë globaliste, për të imponuar ndryshime regjimesh në mbarë botën?
• Nëse ky është financimi që është bërë nga USAID, ajo duhet zhbërë.”
Kjo deklaratë e bërë dje më 26 shkurt 2025, shkaktoi tërmet global dhe shembi përfundimisht USAID, të paktën në Shqipëri, Hungari e Rumani.
Ndërkohë që për Shqipërinë ngjarjet që i referohen kanë filluar para 10 viteve. Dhe këtu ka disa lajme që duhet t’i ndaj me lexuesin:
• Është lajm se USAID ka përdorur agjendë radikale në Shqipëri. A ishte radikale reforma në drejtësi? Po. Ajo nuk u lejua dhe u refuzua të përdorej në asnjë shtet tjetër pas 2017, edhe pse pati tentativa.
• Përbën lajm se SHBA do kërkojë kthimin mbrapsht të parave ndaj përfituesve, përfshirë të afërmit e ministrave dhe ish-ministrave. Ndaj duhet te kene parasysh mos i shpenzojne ato fonde, sepse kanë për t’i paguar vetë dhe jo taksapaguesit shqiptarë!
• Nuk është lajm i vërtetë se SHBA e ka braktisur drejtësinë, ndaj zyrtarë, mos firmosni në kundërshtim me ligjin dhe mos sakrifikoni jetën tuaj dhe të familjes suaj për t’i besuar shefit, kushdo qoftë ai.
* 10 Vite më parë: A përputhet kjo me realitetin?
Nëse dikush përpiqet të mashtrojë opinionin publik sot, duhet të dijë se faktet nuk mund të ndryshohen. Pyetja thelbësore është: A ishte i përfshirë Fondacioni Soros në hartimin e paketës së reformës në drejtësi?
Absolutisht po. Nuk kam pasur asnjëherë simpati për ta dhe kam refuzuar bashkëpunimin me përfaqësuesit e tyre të mbipaguar, si dhe pagesat për ekspertët e opozitës 10 vjet më parë.
A bënë propagandë dhe lavazh truri për të imponuar axhenda radikale si paketa e reformës në drejtësi? Po.
Si provë, më poshtë gjeni letrën që i dërgova ambasadorëve më të rëndësishëm, si n/kryetar i Grupit Parlamentar ku paralajmëroja ata dhe publikun se çfarë do të ndodhte nëse drafti i përgatitur nga të superpaguarit e Fondacionit Soros (GENL) do të miratohej. Dhe ja çfarë u tha 10 vjet më parë:
https://www.balkanweb.com/reforma-ne-drejtesi-pd…/…
Kur unë dërgoja këtë letër me 5 çështje kryesore, dhe mbaja qëndrime të forta, shumë pak më mbështetën. Aktorët e drejtësisë aspak, jo se nuk donin, por disa kishin frikë nga propaganda dhe disa e mendonin si një ëndërr të parealizueshme. Ndërkohë, propaganda, siç thotë edhe kongresmenia e nderuar Marjorie Taylor Greene, thoshte:
“Kush është kundër draftit është kundër reformës!”
Por a kisha të drejtë? A është e vërtetë ajo që u paralajmërua? Shih 5 çështjet që ngrija në letrën zyrtare te cilat përmbledhtas për lexuesin janë:
Në 2015, u paralajmërua se:
1. Reforma do të përdorej për spastrime selektive në sistemin gjyqësor.
2. Emerimet e reja do të kontrolloheshin nga partia në pushtet.
3. Njerëz të lidhur me partitë politike do të merrnin kontrollin e drejtësisë në KPK, KPA, KED, ILD.
4. Institucionet e reja KLGJ, KLP, GJL, GJK do të kapeshin nga mazhoranca përmes emërimeve të njëanshme me 84 votat që i kishin në 2015.
5. Filtrat e përzgjedhjes do eleminojnë Presidentin aktual (atehere i opozitës) dhe 8 insitucionet do të përbëjne oktapod (tëtē këmbëshin) e kapjes politike.
Në 2025, 10 vjet më pas faktet tregojnë:
• Spastrimi ndodhi me metoda eksperimentale e selektive, ndërsa ata që bënë “pastrimin” (ish antarët e KPK) tani janë emëruar në Kryeministri dhe ministri si drejtorë të pushtetit.
• Shkolla e Magjistraturës është kthyer në një zyrë ligjore të eksponentëve të Partisë Socialiste, ku pedagogët sic raportojne mediat janë njëkohësisht avokatë të tyre, hapur ne konflikt me ligjin.
• Të gjitha institucionet e reja të drejtësisë KPK, KPA, KLGJ, KLP, ILD, KED, GJL, GJK etj u kapën nga mazhoranca me 84 vota gjatë 2016-2017.
Kjo është e vërteta sot dhe që doja ta ndaja me lexuesin pasi përputhet plotësisht me atë që u tha dje në Kongresin Amerikan. Doja ta ndaja për të theksuar se ndihem mirë me qëndrimet e mia, të cilat në atë kohë u interpretuan si kundërshti ndaj reformës, ndaj partnerëve dhe fatkeqësisht nuk më mbështetën duke më lënë vetëm.
Para se ta mbyll këtë argument, dua të theksoj se gjithçka që ka ndodhur në këto 10 vite nuk është vetëm pasojë e sa më sipër, por edhe e shantazhit që iu bë opozitës, veçanërisht që nga nëntori i vitit 2017, kur filluan emërimet në drejtësi – duke nisur me Prokurorin e Përkohshëm. Ata që më lexojnë dhe kanë qënë të vëmendeshem në atē kohë e kuptojnë mirë.
Ky shantazh u organizua dhe orkestrua nga një grup në Shqipëri, i cili korruptoi shefin e FBI-së për të prodhuar një dosje fake shantazhuese kundër opozitës dhe për ta përdorur atë si model ndaj kujtdo që do të dilte kundër. Dhe u funksionoi me disa faktkeqesisht pasi heshtën. Unë jo, edhe pse kurrë as u shantazhova dhe as u intimidova nga propaganda, ndaj ndihem mire sot kur lexova deklaratat ne Kongresin Amerikan.
SHBA 5 vjet me vonë, i bëri një shërbim të madh vendit kur dënoi vrasësin me pagesë, McGonigal, por nuk mund të ketë drejtësi të plotë pa u ndëshkuar grupi i strukturuar që organizoi, urdhëroi dhe pagoi (biznesmenët që organizuan, paguan dhe më pas përfituan nga qeveria, e cila u shpërbleu me pasuri publike), dhe jo vetëm ekzekutori McGonigal.
Zbardhja e kësaj dosjeje është një sfidë, dhe padyshim epoka e doktrinës së re Trump do ta çojë deri në fund.
* Po cila është Drejtësia në 2025?
Kam thënë 5 vjet më pare në 2019, para se ta thoshte kryeministri se drejtësia është kthyer në KÇK (shih shkrimin në:
https://www.panorama.com.al/kck-grupimi-me-i-madh…/
Por nëse më pyesni sot në 2025 cilat janë përgjigjiet?
* A largoi vetingu gjyqtarët e korruptuar?
Po, por selektivisht.
• A është më i ulët korrupsioni në drejtësi?
Jo! Shkoni në Gjykatën Administrative dhe shihni si trajtohen qytetarët bisneset.
• A është më e lirë drejtësia?
Jo! Pyesni bisneset dhe qytetaret që kanë çështje në Apelin Administrativ.
• A është më e shpejtë drejtësia?
Jo! 822 ditë për një çështje të zakonshme në Gjykatën Administrative. 338 ditë për të zbardhur një vendim.
* A ka ndonjë kontroll ILD ne keto gjykata nga procedura alarmante e gjykimit dhe zbardhjes se vendimit tek korrupsioni?
Zero.
• A është në kolaps drejtësia?
Shkoni dhe shihni Gjykatën e Apelit Juridiksion i Përgjithshëm. 1 vit ishte para 10 vjetesh afati per gjykimin ne apel, 8-12 ka shkuar sot në 2025 pas 10 vjetësh te reformës në drejtësi.
* Po Drejtësia Penale pas 2016 dhe sot në 2025?
Shihni përgjimet Sky ECC 2018-2020 (pas miratimit të reformës) për të kuptuar më shumë rreth nivelit të korrupsionit në gjykata e prokurori nga ata që kaluan vettingun. Shihni liderët e opozitës, të cilët janë vendosur nën masa sigurie 2 muaj para fushatës.
Konkluzione :
A dështuam me reformën në drejtësi në këto 10 vjet? Le të jemi realistë dhe më shumë optimistë. A e ulëm nivelin e korrupsionit në Shqipëri? Shihni pak aferat më të mëdha korruptive në qeverinë qëndrore dhe atë lokale në shëndetësi, infrastrukture, bashki. Kanë filluar në 2016-2017, fiks pas miratimit të paketës në drejtësi dhe emërimit të Prokurores së Përkoshme. Pushteti krijoi besim se kishte emëruar njerëzit e vet duke injoruar faktorin e huaj dhe humbjen e kontrollit më pas. Filluan nivelet më të larta të korrupsionit kur vendosën në shantazh opozitën dhe korruptuan shefin e FBI. Atëherë morrën jetë. Shihni raportimet e mediave sesi po prodhohen gjyqtarët dhe prokurorët e rinj nga shkolla që ka patur mbështetjen time personale më të madhe në 20 vitet e fundit.
Por a ka shpresë? A ka gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm në GJKKO dhe SPAK?
Po ka! Janë më shumë se 8 gjyqtarë dhe 7 prokurorë të ndershëm, që nuk i hapin telefonin asnjë politikani dhe janë “ujq të vetmuar”, duke u përpjekur të bëjnë më të mirën për vendin.
A ka gjyqtarë të ndershëm në gjykatat civile e administrative? Padyshim që ka, nga Lushnja e Tirana e deri në Shkodër, ka djem e vajza që punojnë me ndershmëri e përkushtim, nga shkalla e pare, apeli, Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, ka profesionistë dhe të ndershëm që sigurisht mërziten pa fund kur shohin që antarët o organizatës KÇK, të korruptuar e shërbëtorë te bandave apo pushtetit që nuk kontrollohen kurrë dhe gëzojnë pasuri.
Por 10 vjet nuk janë pak. Drejtësia e 2025 nuk është më e re. Ajo ka nevojë per reformin te avancuar. Një reformim nga formimi fillestar dhe deri në nivelet e larta, larg qasjes se majtē dhe propagandës cfilitëse të së majtës së djeshme të Soros/USAID apo dhe atyre mbështëse në Europë. Kjo doctrine u shëmb dje në Kongresin Amerikan.
USA nuk e ka braktisur dhe nuk do e braktisë kurrë Shqipërine ndaj kot gëzohen me lajme të paverteta ata që gëzohen dhe kot përpiqen të intimidojnë ata që synojnë. PO, USAID nuk do vijë më pas atyre që dëgjuam dje, por doktrina e re amerikane do vijë.
Ndaj vendi ka nevojë për një qasje tē avancuar të drejtësisë rreth doktrinës së re globale, drejtësisë së re amerikane.
Mirë se vini në epokën e doktrinës TRUMP!