Aplikacion
Shumat marramendëse për blerje online të “kryezonjës”, siç e quajti edhe Velaj gjatë seancës së djeshme në GJKKO, arrinin në më shumë se 86 milionë lekë veshje e bizhuteri.
Në faturat e siguruara nga ZOOM.AL, zbulohet që Ajola Xoxa ka kryer blerje online me vlerë 17 mijë pound në 1 vit.
Ndërsa “kryezonja” e Erion Veliajt mësohet se ka shpenzuar 1600 pound për mbathje e pizhame.
Sipas vendimit për masë sigurie, Prokuroria e Posaçme argumenton se ka zbuluar një mekanizëm të organizuar korruptiv, që ka lejuar kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa që të përfitojnë nga fondet publike për pasurim personal, përmes veprimeve të paligjshme dhe të kamufluara.
Skema e dyshuar korruptive e ngritur nga shtetasit nën hetim, Erion Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, është realizuar përmes një sërë përfitimesh të parregullta që lidhen me funksionin publik dhe favorizimin e subjekteve të ndryshme në kontrata dhe leje ndërtimi. Kjo skemë është konkretizuar në të paktën nëntë episode kryesore.
SPAK thekson se skema përfshin përveç AGI KONS, edhe kompanitë të tjera si Fusha, Rametal, One, Palushi, Kontakt, Vienna Insurance Group dhe Gerard-A“, të cilat kanë përfituara tenderë dhe leje ndërtimi nga bashkia e Tiranës, të cilat më pas kanë transferuar fonde ose pasuri tek Ajola Xoxa, familjarët e saj dhe një rrjet individësh e entitetesh të kontrolluara prej saj.
Këto fonde janë transferuar në kompani dhe organizata jofitimprurëse si “Partners Law,” “Arts Lab,” “Ava Studio,” “Nan Gallery,” “Byl-A,” “Harabel,” “Eventus” dhe “Muza.” Të ardhurat e gjeneruara nga këto subjekte kapin shifrën e rreth 110 milionë lekëve.
Një nga rastet kryesore lidhet me dhënien e përfitimeve nga kompania “Agi Kons” Shpk, përmes përfaqësuesit të saj Gentian Sula, në favor të Veliajt dhe Xoxës. Kjo kompani, gjatë kohës që dhuronte këto fonde, siguroi një kontratë të majme me Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e shkollës “Qazim Turdiu” me vlerë mbi 362 milionë lekë, si dhe një leje ndërtimi për një kompleks banimi, e nënshkruar nga vetë kryebashkiaku Veliaj. Një tjetër rast përfshin sponsorizime dhe mbulim të shpenzimeve të udhëtimit për Veliajn dhe Xoxën nga kompania “Kontakt” Shpk e Fatmir Bektashit, pikërisht në periudhën kur kjo kompani kërkonte leje ndërtimi për një projekt në Tiranë.
Sipas SPAK, bashkëshortja e kryetarit të bashkisë ka përfitur në mënyrë të paligjshme, nëpërmjet OFJ-ve të kontrolluara prej saj, edhe nga fondet e Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Kulturës, Bashkimit Evropian dhe Ambasadës Amerikane.
Prokuroria argumenton se kemi të bëjmë me një sistem të organizuar korrupsioni, ku roli kyç i Veliajt ka qenë vendimtar në miratimin e kontratave publike, fondeve apo lejeve të ndërtimit.
Hetimi i SPAK ka zbuluar se shuma e përfituar përmes këtyre praktikave arrin në qindra milionë lekë, ndërsa një pjesë e këtyre fondeve janë përdorur për blerje luksi të realizuara online për një periudhë prej të paktën gjashtë vitesh. Sipas SPAK, Ajola Xoxa ka kryer blerje online në vlerën e 86.7 milionë lekëve për veshje luksoze, produkte kozmetike dhe aksesorë, duke përfshirë fustane, çanta, pallto dhe bizhuteri nga platformat e modës luksoze si Net-a-Porter, Moda Operandi, Smythson.
Vila “e fshehur” në Qerret
Hetimet dhe verifikimet e pasurive të deklaruara nga Erion Veliaj dhe familjarët e tij, duke përfshirë Ajola Xoxën, Arbër Veliajn, Valbona Xoxën dhe Shqiponjë Veliaj, kanë identifikuar disa pasuri të patundshme në emër të këtyre individëve, duke përfshirë apartamente dhe vila në Tiranë, Kavajë dhe Fier.
Erion Veliaj zotëron një apartament në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë, i blerë në vitin 2013 me një vlerë të deklaruar prej 5,1 milionë lekë, por pa dokumente që provojnë pagesën. Arbër Veliaj rezulton të ketë blerë një truall dhe vilë në Qerret për 164,000 euro, me një pjesë të pagesës të financuar përmes një kredie. Ai gjithashtu disponon dy apartamente në Selitë, të blera në vitin 2022 për një vlerë totale prej 97,407 euro.
Ajola Xoxa ka në pronësi një apartament në “Kodrën e Diellit” në Tiranë, të cilin e ka blerë në vitin 2016 për 88,641 euro, si dhe një apartament tjetër në rrugën “Brigada VIII” për 105,000 euro, të blerë në vitin 2018. Në dokumentet e pronësisë, figuron se Valbona Xoxa ka blerë një apartament në vitin 2016 për 85,232 euro, ndërsa gjithashtu ka përfituar disa pasuri me trashëgimi nga familja.
Hetimet gjithashtu kanë zbuluar një vilë vilë në Marea Resort, Qerret, e cila rezulton të jetë në pronësi të kompanisë ndërtuese Agi Kons, por që dyshohet se është pasuri e fshehur e Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa. Këto dyshime bazohen në pagesat e kryera nga Veliaj për mirëmbajtjen e kësaj prone dhe nga analizat e tabulateve telefonike që tregojnë praninë e tyre të shpeshtë në këtë zonë, si dhe deklaratat e personave të ndryshëm, përfshirë administratorin e resortit, punonjës të familjes Veliaj-Xoxa dhe të ish-shoferit të Ajola Xoxës.
Përveç pasurive të paluajtshme, Xoxa ka një balancë bankare totale prej 618,394 euro, e cila sipas deklarimeve është krijuar nga të ardhurat nga bizneset e saj, qiradhëniet dhe trashëgimia.
SPAK ka zbuluar dhe një apartament në Sky Tower që përdorej nga Ajola Xoxa me dy dhoma të mbushura me piktura, që sipas dëshmive të një bashkëpunëtorjeje, një pjesë i përkasin bashkëshortes së kryebashkiakut dhe kapin vlera nga 600 euro në 5000 euro secila.
Hetimi i SPAK
Hetimi kundër Veliajt nisi më 19 korrik 2023, pas një denoncimi që aludonte për lidhjet e kryebashkiakut me biznesmenin Gentjan Sula, pronar i kompanisë së ndërtimit ‘Agi Kons’, e cila ka fituar disa tenderë publikë të rëndësishëm nga Bashkia Tiranë, përfshirë rehabilitimin e Parkut Rinia, ndërtimin e Teatrit të Kombëtar dhe një PPP për ndërtimin e shkollave në kryeqytet.
Nga veprimet paraprake, SPAK ka konstatuar se lidhejt e Veliajt me biznesmenin janë të vjetra dhe se ata kishin udhëtuar së bashku me avion ‘charter’ nga aeroporti i Rinasit që në vitin 2004. Hetimet paraprake gjithashtu kanë tregur se vëllai i kryebashkiakut, Arbër Veliaj, posedon një vilë në Qerret të ndërtuar nga “AGI KONS”, ndërsa bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa, ka deklaruar një apartament në rezidencën “Kodra e Diellit”, gjithashtu e ndërtuar nga e njëjta kompani.
Pas hetimeve paraprake dhe grumbullimit të provave, më 8 shkurt 2024, Prokuroria e Posaçme regjistroi procedimin penal për veprën e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, ndërsa më 27 dhjetor 2024 hetimi u zgjerua duke përfshirë edhe akuzat për “Korrupsion aktiv”, “Pastrimin e produkteve të veprës penale” dhe “Fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurisë”.
Në vijim, më 16 janar 2025, në regjistrin e veprave penale u shtua edhe akuza për “Deklarata të rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, ndërsa më 24 janar 2025 u shtua vepra penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si pjesë e hetimit, SPAK ka dokumentuar një seri të gjatë transaksionesh që tregojnë rrjedhjen e parasë nga bashkia e Tiranës, përmes kompanive kontraktore dhe sponsorizimeve, tek OJF-të dhe kompanitë e kontrolluara nga Ajola Xoxa. Gjithashtu, SPAK ka mbledhur dëshmitë e shumë individëve të cilët punonin dhe figuronin drejtues në këto OFJ dhe kompani, të cilat kanë treguar se ato kontrolloheshin nga Xoxa dhe se çdo veprim bëhej me miratimin e saj.
Për të dëshmur posedimin e vilës në resortin Marea, përveç pagesave dhe dëshmive të personave të lidhura, Prokuroria Speciale ka përdorur dhe qelizat e telefonit celular të kryebashkiakut. Mes provave kyçe të SPAK, është dhe dëshmia e shtetases Adela Kondakçiu – e cila ka menaxhuar financat e disa entiteteve jofitimprurëse, si dhe komunikimet e saj në aplikacionin WhatsApp.
Gjithashtu të rëndësishme për SPAK kanë qenë dhe deklaramet e shtetases Ina Goxhaj, të cilat dëshmojnë për përpjekjen e koordinuar të Ajola Xoxës dhe Klotilda Bushkës, për të ndikuar në dëshminë e saj dhe për të fshehur faktet gjatë hetimit.
Sipas SPAK, deklarimet e Ajola Xoxës në Prokurori kanë qenë të pavërteta dhe bien në kundërshtim me provat e siguruara nga hetuesit, ndërsa kryetari i bashkisë Erion Veliaj ka dhënë përgjigje të përgjithshme dhe shpesh është shprehur me “nuk e di” ose “nuk kam dijeni”, duke shmangur detajet rreth çështjeve që lidhen me organizatat dhe financimet publike të lidhura me bashkëshorten dhe familjarët e saj.