Aplikacion
Në një konferencë për mediat, kreu i shoqatës Pro-Export Albania, Edvin Prençe tha se procesi është burokratik dhe tepër i ngadaltë. Nga 6 banka që kanë nënshkruar marrëveshjen me qeverinë, vetëm një ka nënshkruar kontrata.
“Garancia për sektorin e manifakturës është ende në fazën e aktivizimit nga bankat. Kanë kaluar 25 ditë nga nisja dhe vetëm një bankë është bërë pjesë. Ne e shohim burokratike dhe shumë të ngadaltë. Për më tepër, garancia ka afat skadence se deri kur mund të aplikojmë. Është sikur të të japin një shtëpi okazion në katin e katërt dhe nuk vendosin as shkallë e as ashensor për t’u ngjitur”, deklaroi Prençe.
Të gjithë përfaqësuesit e bizneseve, nga fasonët tek transporti rikujtuan kërkesat për qeverinë dhe Bankën e Shqipërisë, për ngritjen e një grupi pune dhe analizimin e situatës.
“Ne kërkojmë zgjidhje. Dita ditës po mbyllen biznese që kanë 30 vite aktivitet dhe njerëz që po ikin. INSTAT të thotë se industria është në rënie, Banka e Shqipërisë thotë çdo gjë është në rregull. Ku është fitimi?”, tha kreu i Pro Export.
Shqetësimi më i madh i industrive është destinacioni i euros dhe pikëpyetja se edhe sa do të mund të zhvlerësohet. “A kemi garanci ne se euro do të qëndrojë 100? E dimë ku jemi, por ku do të shkojmë”, tha njëri nga përfaqësuesit e sektorit të logjistikës, pjesë e takimit.
Florjan Zekja, pjesë e shoqatës së eksporteve, tha se qeveria dhe autoritetet kanë në dorë mekanizmat, por u mungon dëshira për t’a bërë.
“Presioni jonë prej 2 vitesh bëri që Banka e Shqipërisë të ndërhynte në kursin e këmbimit duke blerë euro dhe qeverinë të përgatiste paketën e garancisë. Insistimi jonë do të vazhdojë. Ato i kanë mekanizmat në dorë, nëse nuk e ndalojnë dot, të na tregojnë se çfarë do të ndodhë që ne të marrim masat tona”, u shpreh Zekja, i cili në fund të fjalës së tij, përdori një shprehje popullore për të shpjeguar situatën; “Uji t’u u shter e robt tu u mbyt”.