Aplikacion
Në fillim të viteve 2000, Erion Veliaj u paraqit si një zë i fuqishëm kundër korrupsionit dhe nepotizmit të politikës shqiptare. Me Lëvizjen “Mjaft!” ai i shpalli luftë establishmentit të vjetër politik dhe kryesisht korrupsionit të qeverisë socialiste të Fatos Nanos, luftë që kulmoi kur Edi Rama shpalli ambiciet e tij për të kandiduar për kryetar të Partisë Socialiste.
Erion Veliaj u shfaq si një figurë që premtonte ndryshim, një frymë e re për të rinjtë që besonin se politika mund të shërbente si mjet për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë.
Por idealizmi i tij nuk e pati jetën e gjatë. Me kalimin e viteve në pushtet, Veliaj u bë modeli tipik i politikanit që dikur e luftonte.
Faqja satirike “Lolita” ka shënjestruar pikërisht këtë paradoks, duke e treguar Erion Veliajn si si një simbol të dështimit të moralit në politikë, një manipulator të medias dhe opinionit publik, duke promovuar një imazh artificial të “shërbëtorit të qytetit” ndërkohë që në Bashkinë e Tiranës gëlonte korrupsioni dhe duke shtypur çdo zë kritik përmes censurës apo sulmeve të drejpërdrejta ndaj gazetarëve, mediave të caktuara apo kundështarëve politikë.
Kjo histori nuk është thjesht rrëzimi i një individi. Ajo është një pasqyrë e thellë e sistemit politik shqiptar, ku idealistët përfundojnë të korruptuar dhe për të rinjtë që ende besojnë se politika mund të jetë një mjet për ndryshim, rasti i Veliajt mbetet një leksion i hidhur mbi rreziqet e pushtetit dhe mbi tradhtinë e idealeve në emër të interesave personale. /Zoom.al
Postimi i “Lolita”
Erion Veliaj e nisi karrierën si G99-ç, duke luftuar korrupsionin e Fatos Nanos dhe përfundoi si një shembull i keq për të rinjtë. Socialistët që dikur e mbronin, e kanë kuptuar të vërtetën: shpëtuan prej tij. Madje edhe vetë Edi Rama duhet të ndihet i lehtësuar sot, sepse Erion Veliaj ishte kanceri i PS.
Erion Veliaj ishte më keqi nga të gjithë në PS, jo se ishte i vetmi që vidhte, por se shfaqej si “shërbëtori i qytetit,” ndërsa orkestronte skema vjedhjeje që do ta bënin të turpërohej edhe atë hajdutin që fut duart në xhepat e atyre që udhëtojnë me autobusin e Unazës.
Veliaj nuk ishte thjesht një kryebashkiak i korruptuar, por edhe një njeri që e shihte veten si të paprekshëm. Me një gjuhë përçmuese, ai sulmonte këdo që nuk i pëlqente, duke u tallur me hallet e njerëzve dhe duke shkelur mbi ta me të njëjtën papërgjegjshmëri me të cilën firmoste prishjen e shtëpive të tyre.
Në një qytet ku gazetaria duhet të jetë e lirë, Veliaj e ktheu median në altoparlantin e tij personal. Me para publike, ai bleu televizionet dhe portalet, duke mbytur çdo kritikë. Çdo raportim i ndershëm u censurua, çdo gazetar i guximshëm u kërcënua. Ai nuk ishte një drejtues, por një diktator i vogël, që sundonte me frikë dhe para.
Sa herë që dikush guxonte të ekspozonte të vërtetën, Veliaj kthehej në një mafioz politik. Mesazhet kërcënuese, shantazhet dhe fushatat e denigrimit ishin mjetet e tij të preferuara. Ai nuk debatonte, nuk jepte llogari, por hidhte gurin dhe fshehte dorën.
Sot edhe socialistët e ndershëm mund të marrin frymë lirisht. Për vite me radhë prisnin ndihmë nga bashkia dhe u përballën me një mur të pakapërcyeshëm: burokracinë e qëllimshme dhe arrogancën e kryebashkiakut të tyre.
Në një qytet që duhej të ndërtohej mbi drejtësi, Veliaj zgjodhi ta ndërtonte mbi rrënojat e shtëpive të të varfërve. Dhjetëra familje të “5 Majit” mbetën në rrugë, teksa makineria e Bashkisë i shkelte si insekte. Askush nuk u dëgjua, askush nuk u mëshirua. Pushteti i tij u ushqye me lotët dhe dhimbjen e asaj nënës mirditore.
Një 17-vjeçar u vra në landfillin e Sharrës, një skandal që duhej të dridhte themelet e pushtetit. Por në vend të përgjegjësisë, erdhi heshtja. Në vend të drejtësisë, erdhi propaganda. Ai që firmosi që firma private të shfrytëzonte të mitur nuk mbajti kurrë përgjegjësi. Por a mund të ketë paqe pa bërë drejtësi për Ardit Gjoklajn?
Veliaj nuk është thjesht një politikan i keq, ai është një shembull i rrezikshëm për brezin e ri. Ai u rrit duke predikuar vlera, por jetoi duke bërë të kundërtën. Ai i mësoi të rinjtë se suksesi nuk vjen nga puna, por nga mashtrimi, servilizmi dhe vjedhja.