zoom

Kosova

“Familjarët po vdesin me sy hapur” – Deklarata për të zhdukurit vetëm në letër

“Çdo natë mendoj që kur të zgjohem në mëngjes, dikush do të më thërrasë, por që 25 vjet… asgjë”, thotë Fitim Dubovci, i cili kërkon babanë e zhdukur në luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.

Fitimi, nga fshati Çikatovë i komunës së Drenasit, nuk ishte as dhjetë vjeç kur mbeti pa prindërit e tij – Xheladin dhe Sofie Dubovci.

Lëshimi i dorës që e mbante shtrënguar, derisa forcat serbe i dëbonin nga shtëpia, është imazhi i fundit që Fitimi kujton me nënën e tij.

“Atë e plagosën forcat serbe derisa ne po ecnim në turmën me njerëz, duke ikur nga shtëpia, për shkak të një ofensive në vitin 1998”, kujton Fitimi për Radion Evropa e Lirë.

Sa herë përpiqet ta kujtojë atë periudhë, shikimin e përhumb diku. Thotë se nëna e tij, atëkohë 48 vjeçe, mbeti e plagosur në rrugë, ndërsa pjesa tjetër e familjes u detyrua ta vazhdonte udhën pa të.

“… mbeti me të plagosurit e tjerë, apo me ata që u vranë aty”, thotë Fitimi.

Fshat pas fshati, Fitimi dhe familja e tij mbërritën në Vushtrri – rreth 35 kilometra larg – ku thotë se qëndruan rreth tre muaj, derisa ndodhi një ofensivë tjetër.

Një mëngjes, kujton Fitimi, forcat serbe i morën të gjithë burrat që ishin strehuar në atë shtëpi, përfshirë babanë e tij.

Fitimi mbeti me vëllain e tij, gjithashtu i mitur, dhe rrugën drejt shpëtimit e vazhduan me disa familjarë më të largët.

Me kalimin e kohës, ata morën vesh se nëna e tyre kishte vdekur dhe ishte varrosur në një varrezë masive në fshatin Çikatovë. Eshtrat e saj nuk iu dorëzuan familjes për rivarrim deri në vitin 2010.

Ndërsa, për vendndodhjen e babait, Fitimi nuk di asgjë, as sot e kësaj dite.

“Babanë e kanë marrë të gjallë, por, sot, vetëm 1 për qind besoj se mund të jetë i gjallë diku”, thotë 36-vjeçari duke marrë frymë thellë.

Gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë u vranë rreth 13.000 njerëz, ndërsa u zhvendosën mbi 800.000 persona.

Nga rreth 6.000 njerëzit e zhdukur me forcë atëkohë, të pagjetur sot mbeten edhe mbi 1.600. Shumë prej të zhdukurve u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi.

Sipas Komisionit qeveritar të Kosovës për persona të pagjetur, gjatë vitit 2023 u gërmua në 15 lokacione brenda territorit të Kosovës, që ndërlidhen me procesin e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, si dhe në një lokacion në Serbi.

“Të zhvarrosura janë mbetjet mortore të njëzet individëve – viktima të luftës, edhe pse numri i personave të zhvarrosur dhe identiteti i tyre do të përcaktohen pasi të përfundojnë të gjitha ekzaminimet mjeko-ligjore dhe identifikimi përmes analizës së ADN-së”, thuhet në raportin e Komisionit qeveritar të Kosovës.

Deklarata për të zhdukurit nuk zbatohet
Për t’i shtuar përpjekjet në këtë drejtim, Kosova dhe Serbia, një vit më parë, u pajtuan për Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zotimet që u bënë me këtë deklaratë, përfshijnë: qasje të plotë në informacione të besueshme, mes tyre edhe ato me status të klasifikuar; vënie në dispozicion të të gjitha dokumenteve me rendësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe punë të përbashkët përmes një komisioni të kryesuar nga Bashkimi Evropian.

Një vit pas, asgjë prej këtyre në praktikë, të gjitha vetëm në letër.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, konfirmon se Deklarata e përbashkët, e miratuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në maj të vitit 2023, “nuk po zbatohet ende”.

“Kjo do të ndodhë pasi palët të bien dakord për termat e referencës së Komisionit të Përbashkët, i cili parashikohet ta monitorojë zbatimin e Deklaratës së përbashkët, në mbështetje të punës së Grupit Punues të kryesuar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar”, thotë Stano për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se Deklarata nuk është ligjërisht e detyrueshme, por shton se BE-ja u bën thirrje palëve që të angazhohen “në mënyrë konstruktive” në kuadër të dialogut, për të arritur pajtueshmëri për termat e referencës.

Zyra e Qeverisë së Kosovës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me këtë temë, përkatësisht termat e referencës, por kryesuesi i Komisionit qeveritar për personat e zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, thotë se ato kanë të bëjnë me çështje teknike që lidhen me detyrat e Komisionit të Përbashkët.

Hoti thotë se palët janë pajtuar me komentet e njëra-tjetrës për termat e referencës qysh në dhjetor të vitit të kaluar.

“Në janar, [Mirosllav] Lajçak [emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi] na ka dërguar edhe disa komente të reja të Serbisë dhe unë i kam thënë se nuk po komentojmë më për komentet e Serbisë, por ju lutem formojeni komisionin përbashkët”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, nëse BE-ja nuk ndërmerr hapa kushtëzues ndaj Serbisë, kjo e fundit nuk do të japë asnjë informacion të vlefshëm rreth vendndodhjes së personave të zhdukur.

“Ajo çfarë ne mund të bëjmë si nivel teknik, është të kërkojmë nga BE-ja zbatimin e Deklaratës. Njëra prej pikave të Deklaratës është pikërisht kjo: të dyja palët, pa kushtëzime, shkëmbejnë informata me njëra-tjetrën për fatin e personave të zhdukur”, thotë Hoti.

Ai akuzon kryetarin e Komisionit të Serbisë për persona të zhdukur, Velko Odalloviq, se po i kushtëzon informacionet për të pagjeturit me praninë e tij në Kosovë.

Kosova i dërgoi kërkesë Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur
Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, refuzon takimet me Odalloviqin, duke thënë se ai ka qenë personi kryesor i regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë dhe se duhet të merret në pyetje për personat e zhdukur, e jo të jetë pjesë e Komisionit për të zhdukurit. Pretendimet e tilla, megjithatë, hidhen poshtë në Beograd.

Odalloviq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se pa grupe punuese funksionale, nuk mund të punohet në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe përgjegjësinë për këtë ia kalon Kosovës.

“Më 16 prill, 2021, ne mbajtëm takimin tonë të fundit në Beograd. I gjithë delegacioni nga Prishtina ishte këtu. Ne duhet të bëjmë takime në mënyrë alternative, Beograd, Prishtinë, Beograd, Prishtinë… Prishtina ishte ajo që duhej ta caktonte takimin e radhës. Dhe nuk e kemi pasur atë takim. Nuk kushtëzoj asgjë. Thjesht, po kërkoj që të takohen grupet punuese”, thotë Odalloviq.

Nga ajo kohë, grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë mbajtën një takim të jashtëzakonshëm në Gjenevë, më 31 janar të këtij viti. Ekipet u kryesuan nga tjetërkush – jo Hoti e Odalloviq.

“Ajo që kanë kundër meje, personalisht, është problem i tyre, jo i imi. Asnjë përfaqësues të tyre nuk e kam kontestuar dhe nuk do ta kontestoj. Këdo që pala prishtinase vendos në krye të komisionit, është i pranueshëm për ne”, thotë Odalloviq.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it lidhur me termat e referencës të Komisionit që do të monitoronte zbatimin e Deklaratës së përbashkët për të zhdukurit, por thekson vetëm se “mosfunksionimi i grupeve punuese dëmton familjet e personave të pagjetur”.

Pavarësisht moszbatimit të Deklaratës, Hoti thotë se aktivitetet në terren kanë vazhduar, por, sipas tij, sfidë për Kosovën mbetet territori i Serbisë.

Sipas Hotit, gjatë këtij viti po punohet në katër lokacione në territorin e Kosovës, ndërsa janë duke u shqyrtuar edhe dhjetë lokacione potenciale.

“Serbia [në takimin e Gjenevës] ka thënë se i kemi disa lokacione të ndryshme që mund të jenë varreza masive, apo mund të jenë lokacione të dyshimta për personat e zhdukur, porse ende jemi në hulumtim apo në marrjen e më shumë informacioneve nga prokuroria, gjykata apo policia”, thotë Hoti.

“Përveç përgjigjeve apo fjalëve që i kanë dhënë në janar… zbatim, veprim konkret apo rezultat nuk ka pasur”, shton ai.
Nga Komisioni në Beograd thonë se në takimin e Gjenevës janë shkëmbyer informacione “nga të dyja palët për lokacionet e mundshme që duhet të kontrollohen gjatë vitit 2024”.

“Pas takimit të punës të mbajtur në Gjenevë, ftuam në takim përfaqësuesit e Prokurorisë Publike për Krime Lufte dhe Shërbimin për Zbulimin e Krimeve të Luftës të MPB-së, i njoftuam për takimin dhe i ndamë me ta të gjitha informacionet që kemi marrë nga Prishtina”, thuhet në një deklaratë të Komisionit qeveritar të Serbisë, dhënë Radios Evropa e Lirë.

“Fatkeqësisht, Deklarata nuk ka ardhur ende në jetë, sepse nuk është rënë dakord për detyrat e Komisionit të Përbashkët, të cilin Deklarata e parasheh si mekanizëm mbështetës për Grupin e Punës për Personat e Zhdukur”, sipas Komisionit qeveritar serb.

Për zbatimin e Deklaratës, Hoti thotë se i ka dërguar letër presidentit të Serbisë në qershor të vitit 2023, duke i kërkuar hapjen e arkivave, përfshirë ato konfidenciale. Një letër për moszbatimin e Deklaratës thotë se ia ka dërguar dy herë edhe shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Fatkeqësisht, as nga Vuçiq – që ka qenë e pritshme – as nga Borrell e Lajçak, nuk kam pranuar asnjë letër deri më sot, asnjë përgjigje deri më sot”, tha Hoti gjatë një takimi me Komisionin parlamentar për të drejtat e njeriut, më 23 prill.

Familjarët kërkojnë presion më të madh ndërkombëtar

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur në Kosovë, thotë se që nga fillimi ishte skeptik për zbatimin e Deklaratës së përbashkët.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se vetëm një trysni e madhe e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, do të çonte në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.

“Që nga fillimi kam qenë skeptik, sepse Serbia është jobashkëpunuese. Nuk duan të bashkëpunojnë, por çdo bisedë mundohen ta bëjnë politikisht…”, thotë Grajçevci për Radion Evropa e Lirë.

“Kur është çështja e dinarit, për shembull, shkon për 24 orë në bisedime në Bruksel, ndërsa çështja e personave të zhdukur nuk zgjidhet me dekada”, shton ai.

Se pa presion ndërkombëtar nuk do të ketë përparim në këtë çështje, beson edhe koordinatorja e Shoqatës së familjarëve të të kidnapuarve dhe të pagjeturve në Kosovë, Sillvana Marinkoviq.

Ajo thotë se Deklarata e përbashkët është, thjesht, “një shkronjë e vdekur në letër”.

Sipas saj, familjarët e personave të pagjetur janë të zhgënjyer që çështja është “vënë në planin e dytë” dhe askush “nuk po i kontrollon apo shfrytëzon informatat që ata ua japin grupeve punuese brenda Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë”.

“Edhe pse të gjithë thonë se kjo është çështje humanitare, nuk është kështu. Çështja e personave të pagjetur është çështje e madhe politike. Nuk do të përfitonin shumë njerëz nëse fati i të zhdukurve do të ndriçohej”, thotë Marinkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Fitimi kërkon që çështja e personave të zhdukur të trajtohet si humanitare, pasi, siç thotë ai, “me këtë punë po bëhet politikë”.

“Mund të bëhet më shumë, por nuk po punohet”, thotë ai.

Përveç babait, Fitimi ka të zhdukur edhe pesë familjarë më të largët.

“Sa e sa familjarë të personave të zhdukur tashmë kanë vdekur ‘me sy hapur’, sepse nuk e kanë ditur ku i kanë më të dashurit e tyre”./ Radio Evropa e Lirë