zoom

Aktualitet

Falsifikoi lejen e qëndrimit, dënohet me 100 orë punë futbollisti i Tiranës, Cobbina

Futbollisti i Tiranës, Cobbina, është dënuar me 100 orë punë me interes publik, nga Gjykata e Tiranës, pasi ishte nën hetim për falsifikim të lejes së qëndrimit.

Cobbina ka qenë vetë i pranishëm në seancë, dhe teksa pranuar dënimin, ka deklaruar se ai është i pafajshëm sepse nuk ka pasur dijeni. Pala mbrojtëse ka kërkuar pafajësinë duke shtuar se do ta çojë çështjen në Gjykatën e Apelit.

Edhe pse Cobbina ishte në akuzë për falsifikim të lejes që qëndrimit, presidenti Ilir Meta  i dha atij nënshtetësinë, me një procedurë të përshpejtuar brenda 8 orësh pa kryer verifikimet e duhura, e duke thelluar kështu skandalin me dhënien e nënshtetësisë.

Referuar dosjes penale me numër 5165, futbollisti nga Gana është kapur nga policia në 6 qershor 2019 me dokumente të falsifikuara. Ai po nisej me avioni nga Shqipëria drejt Turqisë. Gjatë kontrollit, policia kufitare në Rinas ka konstatuar se viza njëvjeçare e tij kishte skaduar që me 15 janar 2019, ndërsa i kërkoi nëse kishte një leje qëndrimi.

Cobbina i paraqiti një leje qëndrimi me numër 138564, lëshuar nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Tiranë, në 15 dhjetor 2018 dhe vlefshme deri 15 shkurt 2019. Por, në lejen qëndrimit në emrin e tij , që edhe ajo kishte skaduar, ishte shënuar një numër pasaporte, i cili nuk i përkiste Cobbina, por një personi të tjetër, konkretisht Junior Yunus Sentamu, të cilit i ishte refuzuar leja e qëndrimit në Shqipëri për mungesë dokumentacioni. Policia e kishte bllokuar lejen e qëndrimit si të falsifikuar, pasi përkiste dikujt tjetër, por që kishte foton e ganezit.