Aplikacion
Me vdekjen e Jacques Delors-it, presidenti i Komisionit Evropian nga viti 1985 deri në vitin 1995, ka përfunduar një kapitull në historinë evropiane. Ka ardhur koha për të bërë një vlerësim kritik të kësaj periudhe vendimtare, dhe për të nxjerrë mësime për të ardhmen, pak muaj përpara zgjedhjeve evropiane të qershorit 2024.
Të thuash se Evropa që ne njohim sot u formua gjatë kësaj periudhe do të ishte një nënvlerësim: me Aktin e Evropës së Përbashkët të vitit 1986 (që lejon lëvizjen e lirë të mallrave dhe shërbimeve), Direktivën Evropiane të vitit 1988 mbi liberalizimin e flukseve të kapitalit, si dhe Traktatin e Mastrihtit të vitit 1992. Në veçanti, ishte Traktati i Mastrihtit, i miratuar me një diferencë të ngushtë nga votuesit francezë në shtator 1992 (51% pro), ai që e transformoi ish-Komunitetin Ekonomik Evropian (KEE, i krijuar në 1957 nga Traktati i Romës) në Bashkimin Evropian (BE) dhe e pajisi atë me një monedhë të vetme. Siç ishte planifikuar në vitin 1992, euro hyri në fuqi në vitin 1999 për kompanitë dhe në vitin 2002 për individët.
Traktati i vitit 2005 për krijimin e një Kushtetute për Evropën – i refuzuar në Francë në referendum (55% votuan kundër) dhe më pas i miratuar nga Parlamenti, pas disa ndryshimeve të vogla, në formën e Traktatit të Lisbonës në vitin 2007 – u kufizua në konsolidimin e vendimeve të marra ndërmjet viteve 1986 dhe 1992, dhe në konstitucionalizimin e parimeve të konkurrencës dhe lëvizjes së lirë, pa ndonjë risi të madhe. Kompakti Fiskal Evropian i vitit 2012 shtrëngoi kriteret e Mastrihtit për borxhin dhe deficitet, që ishin përcaktuar në 1992, sërish pa ndonjë risi të domethënëse.
Për të kuptuar se sa shumë gjëra kishte “në lojë” gjatë negociatave vendimtare mes viteve 1985 dhe 1995, libri të cilit duhet t’i referohemi mbetet ai i botuar në vitin 2007, me autor Raëi Abdelal (Ndërtimi i Financës Globale). Bazuar në dhjetëra intervista të thelluara me aktorët kryesorë politikë dhe zyrtarë të lartë evropianë të kohës, veçanërisht Jacques Delors dhe Pascal Lamy, Abdelal analizon mjeshtërisht vizionet e të ardhmes dhe hapësirat negociuese të secilës palë.
E thënë përmbledhtaz, socialistët francezë vinin bast se krijimi i Euros dhe i Bankës Qendrore Evropiane, një institucion i fuqishëm federal që i merr vendimet me votë shumice, do të mundësonte me kalimin e kohës krijimin e një fuqie publike evropiane, në gjendje të rregullonte forcat ekonomike, me më shumë efektivitet se sa qeveria majtiste franceze e unitetit, që doli nga zgjedhjet e vitit 1981. Për të arritur këtë rezultat, ata ranë dakord me kërkesën qendrore të kristian demokratëve gjermanë, të cilët mbronin liberalizimin absolut të rrjedhës së kapitalit, pa asnjë rregullim publik, dhe mbi të gjitha pa ndonjë taksim të përbashkët. Kjo ishte një çështje madhore, e cila ishte neglizhuar nga presidenti francez, François MItterrand dhe nga vetë Delors, gjatë negociatave. Ishin hedhur themelet e kompromisit.
Tridhjetë vjet më vonë, rezultati i këtyre risive radikale është i përzierë. Nga njëra anë, Banka Qendrore Evropiane luajti një rol qendror në parandalimin e kolapsit pas krizës financiare të vitit 2008 dhe pandemisë së Covid-19. Pas disa gafave në fillimet e krizës greke dhe rënien e panevojshme në masa shtrënguese gjatë viteve 2012-2013, vendim-marrja me votë shumice i mundësoi Bankës Qendrore Evropiane që të kapërcente vetot (sidomos atë gjermane) dhe të mobilizonte me shpejtësi dhe efiçencë, shuma të konsiderueshme, për të stabilizuar ekonominë evropiane dhe zvogëlonte diferencat në normat e interesit brenda eurozonës. Askush nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur pa monedhën e përbashkët, dhe duhet thënë se vendet nordike që mbetën jashtë saj, nuk kanë ecur aq keq. E vërteta është se asnjë aktor politik i besueshëm nuk është duke propozuar një rikthim tek franga.
Në anën tjetër, është e vetëkuptueshme se vetëm prodhimi i parave nuk mund të zgjidhë të gjithë problemet. Veç kësaj, përfaqësuesit e bankave qendrore kanë qenë shumë më të gatshëm për të shpëtuar banka dhe bankierë, se sa për të investuar në arsim, shëndetësi dhe klimë. Në këtë mënyrë, ata kanë kontribuar për rritjen e përqëndrimit të pasurisë, teksa më të pasurit përfitojnë prej fryrjes së tregut të aksioneve dhe aseteve të pasurive të paluajtshme, të cilat janë bërë të mundura prej blerjeve nga ana e qeverive dhe paratë publike, ndërkohë që kursimet e më të varfërve po fshihen prej inflacionit. Rregullat evropiane për lëvizjen e lirë të kapitalit, të parashtruara në vitin 1992, kanë rezultuar kaq ekstreme dhe destabilizuese, saqë edhe FMN vendosi pas krizave në Azi të viteve 1997 dhe 2008, për të futur disa forma të kontrollit të kapitalit, për rrjedhat e kapitalit në terma afatshkurtër.
Rregullat e reja evropiane kanë luajtur gjithashtu një rol të madh në përkeqësimin e shmangies së taksimit: shkurtime të pafundme të taksave të korporatës, zhvillimi i paaprecedentë i parajsave fiskale dhe nëntaksimi strukturor i miliarderëve dhe multimilionerëve. Politikisht, referendumet e viteve 1992 dhe 2005 kontribuan në mënyrë domethënëse për largimin e një pjese të klasës punëtore nga kutitë e votimit dhe nga e majta. Vota kundër në vitin 2005 në Francë, ishte parashikuesja më e mirë e ngritjes së partisë së ekstremit të djathtë Ribashkimi Kombëtar në vitin 2022, sidomos në qytetet e mesme të prekura prej deindustrializimit.
Çfarë mund të bëjmë për këtë trashëgimi komplekse? Së pari duhet t’u propozojmë partnerëve tanë që të krijojnë një bërthamë të fortë brenda BE, e cila të jetë në gjendje të marrë vendime madhore për çështjet buxhetore, fiskale dhe mjedisore. Edhe nëse ky Bashkim Parlamentar Evropian nuk sheh dritën e diellit në të ardhmen e afërt, ai duhet të mbetet objektiv qendror.
Së dyti, deri kur të arrihet një kompromis, ai do të jetë padyshim thelbësor për të marrë masa të njëanshme përballë shmangieve fiskale, sociale dhe mjedisore, brenda dhe jashtë BE. Kjo do të shkaktojë kriza komplekse, të cilat mund të kapërcehen nëse ndjekim një rrugë ndërkombëtare të qëndrueshme, dhe janë ndoshta të pashmangshme nëse duam të dalim nga bllokimi ku ndodhemi.
(Në shqip nga bota.al)