zoom

Ekonomi

Eurostat: Inflacioni në Shqipëri u ul, por ushqimet vazhdojnë shtrenjtimin

Inflacioni në Shqipëri, sipas metodës së Eurostat, ra në 5.5% gjatë muajit mars 2023. Sipas metodës së Instat, po për të njëjtin muaj rezultoi 5.3%. Inflacioni i harmonizuar rezulton ndjeshëm më i ulët në raport mujor dhe vjetor, ndonëse grupet kryesore vijojnë rritjen, edhe me dy shifra. Kjo sepse, çmimi i naftës që përcakton treguesin e transportit, ka pësuar rënie të ndjeshme.

Në matjet e Eurostat, rritja më e madhe e çmimeve në raport vjetor i përket grupit të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike me 10.4%, pasuar nga mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje me 6.7%, argëtim dhe kulturë me 5.5% dhe veshje dhe këpucë me 4%. Transporti është ulur me 2.3%

Në raport mujor, ushqimet dhe pijet joalkoolike bashkë me argëtimi dhe kulturën,  janë shtrenjtuar me 2.3% nga shkurti në mars. Transporti është ulur me 0.6%.

Krahasuar me vendet e tjera të Europës ndërkohë, norma vjetore e rritjes së çmimeve në vendin tonë prej 5.5% në mars rezulton të jetë mes vendeve me inflacion të ulët dhe nën mesataren e unionit, e cila është 8.3%. Turqia dhe Hungaria raportohen si vendet me rritjen më të lartë të çmimeve në Europë, prej 50.6% dhe 25.6% përkatësisht, pasuar nga Letonia dhe Çekia me 17.2% dhe 16.5%.

Shporta e produkteve ku Eurostat bazohet për matjet, ka një tjetër përmbajtje nga ajo e INSTAT dhe dy produkte më pak.