zoom

Lajme

Europa dhe Conference League, shkëlqejnë skuadrat e mëdha. Liverpuli mbetet favorit

Europa League zbriti në fushë mbrëmë për të luajtur disa nga ndeshjet e fazës 1/8. Liverpool është me një këmbë në fazën tjetër, pasi triumfoi 1-5 ndaj Spartës së Pragës në aktin e parë.

“The Reds” zhbllokuan shumë shpejt llogaritë, që në minutën e gjashtë, me Mac Allister që shndërroi në gol një penallti. Nunez, me një goditje fantastike nga distanca dyfishoi shifrat në të 25-tën. Ekipi i Klopp thelloi diferencat në të 45-tën, sërish Nunez.

Çekët u “zgjuan” në fillimin e pjesës së dytë dhe ngushtuan shifrat pas një autogoli të Bradley. Asgjë për t’u shqetësuar për Liverpool, që e ktheu sfidën në një “festival” golash, këtë herë “tundën rrjetën” Diaz dhe Szoboszlai.

Roma fitoi pastër 4-0 ndaj Brighton, duke argëtuar kështu tifozët në shkallët e stadiumit në “Olimpico”. Një top perfekt i Paredes për Dybalan, u shfrytëzua në maksimum nga ky i fundit, ku për konfirmimin e golit u nevojit ndërhyrja e sistemit VAR. Brenda fraksionit të parë, Lukaku përfitoi nga një gabim i prapavijës, për të çuar ekipin në epërsi të dyfishtë në dhomat e zhveshjes.

Në 45-minutat e dyta, emrin në listën e golashënuesve e vendosën edhe Mancini e Cristante. Befasi në Azerbajxhan, teksa Qarabag barazoi  2-2 me Leverkusen, me “aspirinat” që vetëm në  fund realizuan golin e dytë.

Në Conference League, sukses i madh i Lille 0-3 në Austri ndaj Sturm Graz, ndërsa Olympiacos u imponua në Greqi me shifrat 1-4 ndaj Maccabi Tel Aviv.

Edhe Milan ka siguruar një fitore të rëndësishme ndaj Slavias së Pragës me shifrat 4-2 në Milano, në aktin e parë të 1/8-ave të Europa League. Diuof la çekët me një lojtar më pak në minutën e 26-të, pas një ndërhyrje të ashpër. Në superioritet numerik, kuqezinjtë gjetën shpejt avantazhin, teksa Leao krosoi për Giroud, i cili nuk fali.

Mysafirët vendosën ekuilibrat me një super-gol nga distanca të Doudera-s, por vetëm përkohësisht pasi Reijnders dhe Loftus Cheek ndezën festën vendase në fundin e fraksionit.

Ivan Schranz me një goditje të fortë çoi sferën pas shpinës së Maignan në të 66-tën, duke i bërë mjaft emocionuese minutat e mbetura. Slavia e Pragës mori zemër dhe fitoi centimetra në zonën e Milanit, por këta të fundit mbyllën një herë e mirë llogaritë e këtij takimit me golin e Leaos.

Një “betejë” e vërtetë ishte ajo e Europa-Park Stadion (Freiburg), ku takimi mes Freiburg dhe West Ham përfundoi 1-0.Marseille tregoi klasin në “Velodrome”, me një triumf 4-0 ndaj Villareal.