Aplikacion
Euro ka qëndruar gjatë gjithë muajit shtator poshtë nivelit të 100 lekëve, me një tendencë të qëndrueshme në rënie. Në 30 ditët e fundit, kursi i këmbimit të euros ka rënë me 1.4%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 6.9%.
Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë për herë të fundit në kursin e këmbimit valutor në fillim të muajit gusht. Qysh prej atëherë, kursi ndodhet vetëm nën efektin e forcave të tregut. Pasi arriti ta mbante kursin sipër kufirit të 100 lekëve mes muajve maj dhe korrik, në muajin gusht Banka e Shqipërisë vendosi të tërhiqej nga ndërhyrja, për të testuar lëvizjet e kursit në vlerat e veta normale të tregut. Pavarësisht se kursi ka rënë poshtë nivelit të 100 lekëve, ashtu siç edhe pritej, Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se luhatshmëria e kursit (në këtë rast rënia) nuk ka qenë shumë e fortë dhe shqetësuese. Për këtë arsye, Banka Qendrore ka vendosur se një ndërhyrje në kursin e këmbimit, për momentin, nuk është më e nevojshme.
Valutat e tjera kryesore shënuan një rritje të lehtë ditën e hënë, por duke qëndruar sidoqoftë pranë niveleve të ulëta shumëvjeçare. Dollari amerikan këmbehej me 89.22 lekë, afër niveleve më të ulëta në 15 vitet e fundit.
Rënia e kursit të euros po ndikohet nga oferta e lartë e monedhës europiane, falë tendencës në rritje të të ardhurave nga turizmi dhe investimeve të huaja direkte, veçanërisht në prona. Gjithashtu, një risi për këtë vit është interesi i investitorëve të huaj institucionalë për letrat e borxhit në lekë të qeverisë shqiptare. Flukset e investimeve të portofolit për këtë qëllim kanë dhënë një ndikim shtesë në zhvlerësimin e euros, në periudha të veçanta gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit.
Në krahun tjetër, edhe oferta e shtrënguar e lekut po vazhdon të ndikojë paralelisht në forcimin e monedhës vendase, sidomos për shkak të shtrëngimit të ndjeshëm të politikës fiskale në dy vitet e fundit. Për 8-mujorin 2024, suficiti buxhetor arriti një rekord të ri historik për periudhën, në vlerën e 58 miliardë lekëve. Suficiti është rritur me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Leku i fortë vazhdon të favorizojë uljen e kostos së importit të mallrave dhe shërbimeve në ekonominë shqiptare. Kjo përkthehet në presione më të ulëta inflacioniste nga jashtë dhe fitime më të mëdha për importuesit e mallrave, ndërkohë që bën edhe më lira udhëtimet turistike të shqiptarëve jashtë vendit.
Leku i fortë ka efekte të kundërta në kahun e eksporteve, duke gërryer të ardhurat e eksportuesve të mallrave dhe shërbimeve. Në produktet financiare, forcimi i lekut ka ulur vlerën e kursimeve në valutë, ndërsa ka favorizuar ndjeshëm huamarrësit me kredi në valutë të huaj dhe me të ardhura në lekë./ Monitor