zoom

Ekonomi

Euro në Shqipëri me rënie të fortë brenda pak orëve, as ndërhyrja e Bankës nuk e ndihmoi

Euro nuk po arrin të krijojë qëndrueshmëri në tregun e brendshëm. Rënia e monedhës europiane është përshpejtuar më shumë ditën e sotme duke prekur nivelin më të ulët që prej fillimit të gushtit.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehet sot me 103.2 lekë, në rënie me 0.6 pikë krahasuar me ditën e djeshme(21 nëntor). Rënia e Euros po tërheq pas vetes edhe valutat e tjera të huaja.

Dollari Amerikan po këmbehet me 94.71 lekë. Në një muaj, monedha amerikane ka humbur më shumë se 5 lekë në kursin e këmbimit dhe ndodhet aktualisht në nivelin më të ulët që prej datës 11 gusht.

Paundi Britanik dhe Franga Zvicerane ndodhen gjithashtu në nivelet më të ulëta prej më shumë se tre muajsh duke u tregtuar përkatësisht me 118.59 dhe 107.13 lekë.

Me afrimin e sezonit të fundvitit, zhvlerësimi i valutave kundrejt lekut është i zakonshëm, ndonëse me lëvizjen e kursit gjatë këtij viti, shpjegimet ekzistuese nuk gjejnë më vend.

Nga ana tjetër, sipas analizës së Bankës së Shqipërisë dhe deklaratave të qeverisë, përshpejtimi i shpenzimeve buxhetore javët e fundit të vitit (investime kapitale në lekë) mund të nxisin euron në rritje.

Në mbylljen e javës së shkuar, BSH bleu 16.5 mln euro në treg, por asnjë efekt nuk u reflektua në këmbimin euro-lek. Ky autoritet parashikon një kurs të qëndrueshëm, pa lëvizje të tjera domethënëse.