zoom

Ekonomi

Euro në pikiatë përballë lekut, ja me sa këmbehet

Monedha europiane vijon rënien e saj të lirë kundrejt lekut shqiptar.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 115.44 lekë, duke shënuar nivelin më të ulët që prej datës 4 janar të këtij viti.

Edhe këtë të martë euro mbetet në të njëjta pozita.

Sipas ekspertëve, kursi i këmbimit po shfaq tipare të ngjashme me tremujorin e fundit të vitit të kaluar, me ofertë konstante të euros dhe pa lëvizje të mëdha në kërkesën për monedhën europiane.

Statistikat e disponueshme deri në fund të 9-mujorit të vitit të kaluar treguan se deficiti i llogarisë korrente rezultoi në nivele të ngjashme krahasuar me një vit më parë, por nga ana tjetër investimet e huaja direkte rezultuan në nivelet më të larta historike.

Statistikat e Bankës së Shqipërisë treguan se depozitat bankare në valutë të huaj u rritën me ritme të larta edhe vitin e kaluar. Veçanërisht, depozitat në euro u rritën me 17%.

Tërthorazi, kjo tregon se prurjet valutore në ekonomi ishin të larta, pa llogaritur këtu edhe prurjet e konsiderueshme informale, që, sipas agjentëve të tregut, kanë një rol të rëndësishëm në ecurinë e kursit të këmbimit mes euros dhe lekut.

Teorikisht, forcimi i lekut mund të jetë ndikuar edhe nga kahu konsolidues i politikës monetare, por edhe asaj fiskale. Banka e Shqipërisë rriti vitin e kaluar normën bazë të interesit me ritme të shpejta, duke e çuar nga 0.5% në 2.75%. Ndërkohë, megjithëse treguesit buxhetorë përfundimtarë të vitit 2022 nuk janë publikuar ende, deri në fund të nëntorit deficiti buxhetor ishte në nivele ndjeshëm më të ulët krahasuar me një vit më parë.

Për tremujorin e fundit 2022, euro u këmbye mesatarisht me 116.4 lekë, ndërsa për muajin dhjetor kursi mesatar ishte edhe më i ulët, në nivelin 114.9 lekë. Në datën 28 dhjetor, euro shënoi edhe nivelin më të ulët të të gjitha kohërave, në vlerën e 112.83 lekëve.

Ndryshe paraqitet situate e dollarit, i cili edhe këtë të martë ka vijuar të forocohet. Sipas kursit zyrtar një dollar shitet me 108.5 lekë.