Aplikacion
Kjo është një ndeshje e veçantë edhe për Nuno Mendes, mbrojtësin e PSG, i cili do të ketë përballë ish kapitenin e tij Kylian Mbappe. Mendes nuk i kurseu elozhet për yllin francez, por është i bindur se Portugalia do t’ia dalë:
“Të them të vërtetën, ai nuk luan në krahun tim. Nëse do të vij në anën time do të jem gati. Unë stërvitem çdo ditë për këto tip ndeshjesh, për këto momente. Jemi të gjithë të përgatitur për ndeshjen kundër Francës dhe do të bëjmë gjithçka për të limituar forcat e tyre. Do të jetë e vështirë, por unë e njoh pak Kylian, do të bëj gjithçka për ta ndalur”, u shpreh Nuno Mendes.
Një tjetër sfidë është ajo mes Anglisë dhe Zvicrës, ku luajnë edhe disa shqiptarë. Por “tre luanët”, edhe pse favoritë, ndodhen në qendër të kritikave për lojën e tyre të dobët. Kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, u shpreh se do bënin të njëjtë lojë si me Italinë dhe s’i trembeshin anglezëve.
Phil Foden u shpall lojtari më i mirë i sezonin të fundit në Premier League, por me fanellën e përfaqësueses angleze, sulmuesi i Man.City nuk ka dhënë ende më të mirën e tij. Tifozët e “tre luanëve” prisnin që Foden të bënte diferencën në “Euro2024”, por diçka e tillë nuk ka ndodhur, të paktën deri më tani, duke bërë që Foden të përfshihet nga kritikat:
“Nuk jam votuar si lojtari më i mirë i Premier League, për të ardhur më pas në Evropian dhe të mos e tregojë këtë. Jam pak i mërzitur me rendimentin tim, nuk dua të gënjej për këtë. Mua më vjen keq për Southgate dhe për të gjithë kritikat që po merr. Trajneri nuk na thotë të luajmë në atë mënyrë, përkundrazi, në stërvitje ai na shtyn të qëndrojmë lart, të bëjmë presing. Unë mendoj se ne lojtarët duhet të marrim përgjegjësitë, në këtë rast, nuk besoj se ne jemi të pafajshëm”, u shpreh Foden. /ZOOM.AL/