zoom

Politikë

Ethe brenda PS-së/ Këtë javë Rama tregon emrin e Presidentit të ri

Brenda javës, Partia Socialiste duhet të propozojë emrin e Presidentit. Teksa tre raundet e para u dogjën, në raundin e katërt socialistët mund ta zgjedhin vetëm, pasi mjaftojnë 71 vota dhe ata i kanë.

Për postin e Kreut të Shtetit aspirojnë mjaft figura të PS-së, përfshirë edhe ish-ministra.

Edhe pse Rama ka thënë se do të jetë jashtë politikës, ka ende nga ata që kanë shpresë se përmes lobimeve mund t’ia ndryshojnë mendjen kryesocialistit.

Kryeministri thuhet se e ka pasur emrin që pa u hapur procedura dhe se e gjithë loja me PD -në e Alibeajt ishte një skemë për të treguar se ai ishte për një proces gjithëpërfshirës.

Duke respektuar detyrimin kushtetues që raundet të mos bëhen më shumë se 7 ditë nga njëri-tjetri mund të themi se me shumë mundësi brenda një javë do të kemi një president të zgjedhur nga votat e socialistëve.

Nesër pritet që të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të përcaktojë datën e raundit të katërt, që mund të jetë edhe i fundit.

Si zgjidhet presidenti i ri?

10 maji është data e konsideruar si nisja e procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës ndaj maksimumi brenda gjysmës së dytë të qershorit do të kemi një President të ri Republike. Sipas Kushtetutës procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës në Kuvend nis jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Presidentit aktual. Domethënë në rastin konkret maksimumi duhet të ishte data 24 maj, pasi mandati i Metës mbaron më 24 korrik.

Tashmë është koha e propozimit zyrtar të kandidaturave, një grup me jo më pak se 20 deputetë ka të drejtën t’i propozojë Kuvendit kandidaturën për President të Republikës së Shqipërisë. Një deputet nuk mund të propozojë më shumë se 1 kandidat për Presidenti. Kushtetuta përcakton se janë pesë raunde për zgjidhjen e Presidentit. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 3/5, 84 vota, ndërsa në dy e tjera, të katërtin dhe të pestin, presidenti mund të zgjidhet me 71 vota.

Raundet nga njëri tjetri duhet të zhvillohet brenda 7 ditëve, që do të thotë se Presidenti i ri i Republikës maksimalisht në gjysmën e dytë të muajit qershor do të jetë i zgjedhur, duke qenë se data e fillimit të procesit është konsideruar data 10 maj. Votimi për secilin raund bëhet i fshehtë dhe pa debate. /Zoom.al/