zoom

Blog

“Është humbja jote dhe suksesi im”

Elona Caslli:

Forca e individit ka qenë dhe do të mbetet ngahera forcë e pamohueshme dhe e pakundërshtueshme në historinëe njerëzimit. Ngjarjet i bëjnë individët dhe jo turmat. Forca e individit është sfiduese. Sheh dritë atje ku të gjithë shohin errësirë e në mos ekzistoftë drita e krijon atë.

Forca e individit është e magjishme sepse individi garën e ka proces të brendshëm dhe jo të jashtëm. Qëllimet e individit nuk janë të tejkalojë të tjerët, por të tejkalojë vetveten.

Luiza Gega ka shkuar përtej vetvetes e këtu qëndron magjia e suksesit të saj. Ka sfiduar çdo mungesë mbështetjeje shtetërore gjatë stërvitjes dhe është ngritur mbi hirin e një shoqërie që ka përvëluar prej kohësh hierarkinë e vlerave duke pohuar për të disatën herë vogëlsinë e një shteti përballë një individi.

Teksa u përballa me foton ku kryeministri i puthte duart, ndërmend më erdhën pyetjet- A do të ishte sjellja e njëjtë e kryemimistrit nëse Luiza Gega nuk do të ish shpallur kampione?! A do të kish ndarë kryeministri me Luiza Gegën peshën e humbjes sikundër po ndan shijen e suksesit?!

Kushdo që nuk mendon vetëm sa për të jetuar, por edhe për të analizuar siç duhet një situatë e di fort mirë që përgjigjja për dy pyetjet e përmendura më lart është – Jo-.

Kryeministri nuk identifikon kurrë mungesat e mbështetjes shtetërore që mund të shkaktojnë humbjen në një garë, por është krejt i gatshëm të përvetësojë suksesin e një individi duke u kthyer në protagonist të këtij të fundit nën sloganin- Humbja në një garë të përket ty. Suksesi yt në një garë më përket mua.

Post Scriptum- Teksa shoh kryeministrin përballë Luiza Gegës ndërmend më vijnë vargjet e Gëtes që duket se janë shkruar posaçërisht për magjiken Luizë;

“Mos ma trazo shtëpinë time që nuk ma ndërtove ti, as hirin e zjarrit tim që ma ke zili”.