Aplikacion
Bëhet fjalë për një tender me shumë marramendëse prej 615 milionë lekësh të vjetra me TVSH, të dhënë për blerjen e uniformave dhe veshjeve speciale për Policinë Bashkiake.
Tenderi kishte një fond limit prej 620 milionë lekësh të vjetra me TVSH, ndërsa fituesja e shpallur, Vojsava Zenelaj dha një ofertë me një diferencë prej vetëm 5 milionë lekësh të vjetra, pra 99.2% të fondit limit, që ndodh vetëm në rastet kur gara është fiktive dhe fituesi është i paracaktuar.
Dyshimet për manipulim bëhen edhe më të forta kur shohim se në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, nga të cilat njëra nuk ka dorëzuar fare ofertë. Kjo praktikë është një skemë e njohur për të simuluar konkurrencën, ndërkohë që në realitet tenderi shkon tek kompania e caktuar paraprakisht.
Ironia është e madhe: ndërsa kreu i bashkisë ndodhet pas hekurave për abuzime me tenderat, stafi që ka mbetur pas vazhdon me të njëjtat metoda të vjetra, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Pyetja që shtrohet tani është: a do të veprojë SPAK për të ndalur këtë rrjedhje të pandalshme parash publike, apo uniformat e reja të Policisë Bashkiake do të jenë aq të “shtrenjta” sa të ofrojnë imunitet për fituesit e këtyre tenderave?
Bashkia Tiranë duket se nuk ka ndërmend të ndalojë, pavarësisht skandaleve të njëpasnjëshme. Me këto ritme, ndoshta herën tjetër mund të shohim edhe një tender për uniforma të reja me xhepa të zgjeruar – të përshtatshme për të mbajtur më shumë para të taksapaguesve!