zoom

In Zoom

Erion Veliaj braktiset nga bashkëpunëtorët më të ngushtë. Asnjë nuk e ka vizituar në burg

Deri pak ditë më parë, Erion Veliaj ishte një nga njerëzit më të fuqishëm të politikës shqiptare, njeriu që kontrollonte Bashkinë e Tiranës, pushtetin e dytë më të madh ekonomik në vend. Ai vazhdon të jetë “de jure” drejtues i bashkisë, pasi kryeministri Edi Rama ka refuzuar ta shkarkojë pas arrestimit nga SPAK për korrupsion, fshehje pasurie e pastrim parash. Por “de facto” ai është një njeri i hedhur pas hekurave, fati i të cilit po i intereson pakkujt.

Burime të besueshme të Zoom.al konfirmojnë se në burgun e Durrësit, Veliaj ka shumë pak vizitorë. Të vetmit që i shkojnë thuajse përditë janë truprojat dhe shoferët e tij, të cilët kujdesen ende për ta furnizuar me ushqime dhe gjëra të tjera të nevojshme. Ndërsa drejtuesit e Bashkisë, ata që dikur e rrethonin dhe e duartrokisnin në çdo vendim, i kanë kthyer shpinën. Askush nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk është parë ta takojë.

Në fakt kjo është tabloja që tregon se si funksionon politika: kur je në pushtet, të gjithë sillen si obortarrët dhe gaztorët rreth mbretit, kur bie nga karrigia s’ka mbetur më asnjë që të të japë dorën të ngrihesh.

Shkarkimi “de facto” nga Edi Rama

Shkarkimi “de facto” i Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës u vulos më 20 shkurt. Kryeministri Edi Rama organizoi një takim me punonjësit e Bashkisë së Tiranës, një lëvizje që nga shumë analistë u lexua si qivuri mbi fundin e erës së Veliajt në Bashki. Deri përpara këtij mitingu opinioni publik qe ndarë mes idesë se Veliaj kishte mbrojtjen politike të Edi Ramës dhe për këtë arsye Rama ishte vërsulur me tërbim ndaj SPAK dhe idesë së pas arrestimit të Veliajt qëndronte vetë kryeministri. Por pas kësaj ngjarjeje gjithçka duket më qartë: Edi Rama nuk ka ndërmend të luftojë më për të dhe synon vetëm të motivojë punonjësit e Bashkisë që të vijojnë punën dhe të mos dekurajohen për fushatë elektorale.

Me mitingun, edhe retorika e kryeministrit ndaj SPAK-ut është zbutur ndjeshëm. Edi Rama tani po adopton një qëndrim më të qetë. Takimet e përditshme mëngjesore “Sy më Sy” ku sulmohej SPAK dhe i tregohej kufiri i pushteteve u zëvendësuan me “Podcast-et” e zakonshëm për të folur për art e kulturë. Ndërsa agjenda politike agresive kundër SPAK e në mbrojtje të Veliajt ua la vendin inspektimeve të punimeve me Ballukun.

Kjo sjellje e Ramës e përforcon idenë se Veliaj është një e shkuar për të cilën do të flitet vetëm kur të flasë drejtësia.

Vetë Veliaj ka vijuar çdo ditë të reagojë kundër prokurorit të SPAK, Olsi Dado dhe gjyqtarit të GJKKO, Erjon Bano. Reagimet janë bërë të përditshme edhe nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa. Të dy, duken tashmë të vetëm në këtë betejë. Nga Partia Socialiste askush nuk po flet më për ta.

Veliaj, si të tjerët, një mësim i vjetër nga Rama

Braktisja e Erion Veliajt është fati që ai shkroi vetë me pushtetin që ngriti. Rasti i tij nuk është i panjohur dhe Veliaj nuk zyrtari i parë që Partia Socialiste nën drejtimin e Edi Ramës, braktiset në momentin që shndërrohet në një barrë politike apo rrezik për pushtetin. Para tij, të njëjtin fat e kanë pësuar edhe ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë që kanë përfunduar në burg apo në kërkim nga drejtësia. Veliaj tashmë po mëson atë që nuk mundi ta mësonte në kaq vite karrierë të ndërtuar nën hijen e Edi Ramës: në politikë nuk ka miq të përjetshëm, por vetëm interesa të përkohshme. /Zoom.al

Postime të lidhura