Aplikacion
“Plot 33 vite ungjizim në viset e Shqipërisë, janë një shifër tejet domethënëse dhe jo vetëm pse përputhen me moshën e Jezu Krishtit.
Jeta e Anastas Janullatosit ishte tërësisht e përmbushur, përderisa përmes saj u realizua ëndrra e një fëmije. “Kur isha fëmijë, kujtonte kryepeshkopi i ndjerë, nuk doja të bëja diçka për zotin, por t’i jepesha tërësisht atij”…”, tha Rama në fjalën e tij gjatë ceremonisë së lamtumirës për Kryepeshkopin.
Ai shtoi se pavarësisht se figura e tij disa herë edhe u anatemua, për shkak të konflikteve mes Shqipërisë dhe Greqisë, askush nuk mund të mohojë rolin e tij në ringritjen e Kishës Ortodokse në Shqipëri.
“Personi i Kryepeshkopit Anastas dhe vepra e tij në krye të Kishës janë qëmtuar, admiruar, bekuar e qortuar e deri edhe janë anatemuar. Pasionet më kontradiktore janë shfaqur në mexhlisin tonë kur ka ardhur puna te veprimtaria publike dhe qytetare e njeriut i cili deshi apo s’deshi mori mbi supe deri dhe zjarret e konflikteve fëmijërore të fqinjësisë sonë, të ringjallur në të njëjtën kohë me ringjalljen e Kishës. Por edhe kjo, më së paku dëshmon për stoicizmin e bariut, cilësi gjithnjë e më e rrallë në një botë ku gjithnjë e më shumë janë ata që frynë andej nga fryn era. Por përtej zjarreve andej e këndej kufirit pas gjysmë shekulli heshtjeje mortore, askush dhe asnjëherë nuk e vë dot në dyshim, autenticitetin e angazhimit baritor të Kryepeshkopit, për grigjën që e gjeti të vrarë, të plagosur dhe të shpërndarë 33 vite më parë dhe që e bashkoi me përkushtim e durim të madh”, tha Rama.
“Ai erdhi në Shqipëri si një prift nga Greqia, por largohet si Anastasi i Shqipërisë. E di që ka plot shqiptarë që nuk pajtohen me këtë që thashë, por durim…”, shtoi Rama.