zoom

Bota

“Epokë e re” për Argjentinën, betohet presidenti i ri! Kush është Javier Milei, krahasohet me Trump

Javier Milei premtoi një “epokë të re” për Argjentinën teksa u betua si presidenti i ri i vendit të dielën.

Milei është një ekonomist dhe ish-komentator politik, i cili filloi të përdorte një sharrë elektrike në fushatë për të simbolizuar qëllimin e tij për të ulur shpenzimet.

Ngritja e tij befasoi establishmentin politik të Argjentinës, duke bërë krahasime me ish-presidentin e SHBA Donald Trump.

Ceremonia e betimit u kryesua nga paraardhësi i Mileit, Alberto Fernandez, përpara kongresit të vendit në Buenos Aires.

Milei bëri betimin përpara se të mbante fjalimin e tij të parë si president, duke u zotuar të prezantojë ndryshime gjithëpërfshirëse.

“Sot, është fillimi i një epoke të re për Argjentinën, sot ne mbyllim një histori të gjatë dhe të trishtuar të dekadencës dhe rënies, dhe marrim rrugën e rindërtimit të vendit tonë”, tha ai ndërsa iu drejtua një turme nga shkallët e mëdha jashtë Kongresit në Buenos Aires.

“Argjentinasit kishin shprehur në masë dërrmuese dëshirën e tyre për ndryshim që nuk ka kthim prapa”.

Disa figura të shquara ishin të pranishëm në ceremoni, duke përfshirë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe Jair Bolsonaro, ish-presidentin e Brazilit.

Milei, 53 vjeç, u zgjodh president në balotazhin e 19 nëntorit me 55.9% të votave, kundër 44% të marrë nga Sergio Massa, ministri aktual i financave.

Ai mori rëndësi kombëtare pasi fitoi zgjedhjet, duke premtuar reforma radikale si dollarizimi dhe masat shtrënguese për të adresuar sfidat ekonomike të Argjentinës.

Ai tashmë është takuar me zyrtarë të lartë të SHBA-së në Uashington dhe ekipi i tij ekonomik ka bashkëpunuar me oficerët e FMN-së për të formuluar një plan që synon riformësimin e politikës së jashtme të vendit dhe udhëheqjen e ekonomisë së tij nga kriza aktuale.

Premtimi i tij i fushatës për të dollarizuar, nëse zbatohet, mund ta shtyjë vendin në një territor të ri: asnjë vend me madhësinë e Argjentinës nuk i ka dorëzuar më parë frenat e politikës së tij monetare tek vendimmarrësit e Uashingtonit.

Milei, një konservator social me lidhje me të djathtën amerikane, kundërshton të drejtat e abortit dhe e ka quajtur ndryshimin e klimës një “gënjeshtër të socializmit”.

Ai ka premtuar të ulë shpenzimet e qeverisë duke mbyllur ministritë e kulturës, arsimit dhe diversitetit të Argjentinës dhe duke eliminuar subvencionet publike.