zoom

Bota

“Ende po mbledhin trupat e viktimave”- Panik dhe pikëllim pas shpërthimit në spitalin e Gazës

Një grua palestineze qan në kopshtin e Spitalit Baptist Al-Ahli Arabi pasi u godit nga një sulm ajror në qytetin e Gazës.

BBC ka sjellë momente nga skena e shpërthimit në spitalin, ku humbën jetën qindra njerëz.

“Ende po mbledhin trupat e viktimave”, raportoi korrespondenti i BBC.

Dëshmitarët tregojnë shpërthim i madh ndodhi në një zonë të mbushur me njerëz, duke shkaktuar panik e ankth.

“Njerëzit erdhën me vrap në departamentin e kirurgjisë duke bërtitur na ndihmoni, na ndihmoni”, tregon mjeku Fadel Naim, i cili tregon se e gjeti spitalin plot me trupa të copëtuar dhe njerëz të plagosur pasi dëgjoi një shpërthim të madh.

“Ata bërtitën ‘ka njerëz të vrarë dhe të plagosur brenda spitalit’,” tha Naim për Reuters.

Ai u përpoq të shpëtonte këdo që mundej, por numri ishte shumë i madh që ekipi i spitalit të mund të shpëtonte.

“I gjetëm të gjallë, por nuk mund t’i ndihmonim”, tha mjeku.

Banori nga Gaza, Adnan al-Naqa tha per AFP se “kishte kufoma kudo, fëmijë, gra dhe të moshuar”.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza fajëson sërish Izraelin për sulmin.

Ashraf Al Qudra, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, tha se që kur Izraeli filloi sulmet e tij ajrore në Gaza, 3.478 njerëz janë vrarë dhe 12.065 të tjerë janë plagosur.

Por Izraeli këmbëngul se nuk është fajtor për shpërthimin në spital.

Tel Aviv ka deklaruar se provat nga terreni, si edhe bisedat e përgjuara, tregojnë se ishte shkaktuar nga një raketë  e lëshuar gabimisht nga militantët e Xhihadit Islamik Palestinez, nga brenda Gazës.

Ministria palestineze e Shëndetësisë ka thënë se 471 persona u vranë nga shpërthimi në spital të martën dhe 314 të tjerë u plagosën.