zoom

Aktualitet

EMRI/ Dy javë në koma pasi u përplas në Tepelenë, ndërron jetë në spital 58-vjeçari

Një 58-vjeçar, i aksidentuar në Tepelenë mbrëmjen e 17 marsit, ndërroi jetë këtë të martë në spital.

Prej dy javësh, Jani Çela ishte i shtruar në spitalin e Traumës në Tiranë, ku kishte kaluar në gjendje kome prej plagëve të rënda nga përplasja.

Jani Çela u bë viktima e pestë e aksidentit tragjik të ndodhur në mars, ku katër persona humbën jetën si pasojë e përplasjes së tre makinave.

Aksidenti i 17 marsit

Makina tip Mercedes “Benz”, që po lëvizte me shpejtësi jashtë normave të lejuara nën drejtimin e Riza Rrapa, humbi kontrollin dhe si pasojë u përplas me dy automjete të tjera, që po lëviznin në drejtim të kundërt me të.

Nga përplasja e fortë, viktimë mbeti vetë Rrapa dhe 3 anëtarë të një familjeje që ndodheshin në makinën tip “Toyota”, konkretisht Lavdosh dhe Lefteri Begaj, burrë e grua dhe Afërdita Begaj. E moshuara 90 vjeçare Afërdita Begaj vdiq në momentin e përplasjes, dy të tjerë ndërruan jetë rrugës për në spitalin e Gjirokastrës dhe një i katërt humbi jetën sapo hyri në sallën e operacionit.