zoom

Aktualitet

EMRI/ Arrestohet me urdhër të SPAK avokati

Arrestohet me urdhër të SPAK avokati Bardh Koçia.

Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për të, pasi akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Burime konfirmojnë se SPAK ka lëshuar edhe urdhërarreste të tjera dhe po ushtron edhe disa kontrolle.

Së fundmi, SPAK ka dalë edhe me një njoftim për shtyp për të dhënë më shumë detaje. Arrest në shtëpi është caktuar për avokatin në fjalë, ndërsa një masë sigurie është vendosur edhe për një shtetase tjetër.

Janë kryer 4 kontrolle banesash dhe personale, ndërsa është sekuestruar telefoni i shefit të laboratorit në Policinë Shkencore.

Ky operacion është realizuar në kuadër të një hetimi për ndërhyrje në një dosje që ishte nën hetim nga Prokuroria e Tiranës dhe po shqyrtohej nga gjykata.

Në kohën e kryerjes së veprës penale, avokati Koçi ka qenë i punësuar pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Rrethanat e çështjes

“Shtetësja P.M., në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumentave shëndetësore”, e parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.

Shtetasi B. K. me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte i punësuar me detyrë Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, përmes vendimit nr.10, datë 27.02.2025, ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim B.K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim P.M., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Gjithashtu në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal me qëllim kërkimin e provave janë ushtruar kontrolle në banesat e katër shtetasve, mes tyre edhe në atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë”, thuhet në njoftimin e SPAK./ Zoom.al