zoom

Aktualitet

Emigrantët në Shqipëri/ Qiraja e një anije mund t’i kushtojë Italisë 13.5 mln euro për 90 ditë

Qeverisë italiane, mund t’i kushtojë “maksimumi” deri në 13.5 milionë euro për të marrë me qira një anije për 90 ditë, me ekuipazhin e saj, “për të garantuar lëvizjen e emigrantëve të shpëtuar në Detin Mesdhe” drejt portit të Shëngjinit, në Shqipëri.

Sipas mediave italiane, kjo është parashikuar nga “konsultimi paraprak i tregut” i publikuar nga Ministria e Brendshme Italiane për zbatimin e protokollit ndërmjet Romës dhe Tiranës, me “kontratë tre mujore, nga 15 shtatori deri më 15 dhjetor 2024”.

Në bord, 200 emigrantë dhe 100 operatorë – Një kërkesë, “jo detyruese dhe thjesht tregues”, mund të lexohet në specifikimet teknike për shërbimin, ku “pika e grumbullimit të emigrantëve” identifikohet “rreth 15/20 milje detare Jug-Jug / Perëndim nga ishulli Lampedusa”.

Flitet për një transport prej “rreth 300 njësi” (200 emigrantë dhe 100 operatorë), dhe “tre deri në katër udhëtime në muaj (vajtje-ardhje)”.

Çdo operacion do të zgjasë deri në 6 ditë – Kohët e lundrimit nga pika e marrjes, deri në pikën e destinacionit, vlerësohen në “afërsisht 50 orë” në dokumentin e Ministrisë së Brendshme për “specifikimet teknike për një shërbim me qira të një njësie detare” me ekuipazhin përkatës, për transportin e emigrantëve të shpëtuar në det”.

Kohëzgjatja e çdo operacioni tregohet si “5/6 ditë”, duke përfshirë “transportimin e emigrantëve, aktivitetin e qendrës, transportin për në Shqipëri, aktivitetet e zbarkimit dhe kthimin në zonën e operacionit”.

Kërkesat e anijeve – Ndër kërkesat për anijen, janë: kapaciteti për të transportuar afërsisht 300 pasagjerë, 200 emigrantë plus 100 operatorë; një minimum prej 50 kabinash, secila me një maksimum prej dy shtretërish; një pjesë e lartësisë së pjesës së bykut të anijes që mbetet e zhytur më pak se 5 metra, “i përshtatshëm për ankorim në portin e Shëngjinit”; një dhomë për ekzaminimin e emigrantëve; një për t’u përdorur si dhomë sigurie për nevojat e policisë gjyqësore; një dhomë për infermierinë; dhe zona për karantinë të mundshme.

“Shërbimi i menaxhimit të pronarëve të anijeve do të jetë përgjegjësi e operatorit me të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë”, saktësohet në dokument.

Për më tepër, ekzekutimi i shërbimit përfshin furnizimin e mallrave dhe produkteve ushqimore, si dhe përgatitjen e ushqimeve të larmishme në lidhje me porositë fetare apo ndonjë problem shëndetësor. Nëse tejkalohet mesatarja prej 300 njësish për ditët e kohëzgjatjes së kontratës, do të njihet një “kosto shtesë për frymë prej 40 euro/dita për numrin e pasagjerëve të tepërt”.

“Duke pasur parasysh paparashikueshmërinë e evolucionit të flukseve migratore dhe rrjedhimisht pamundësinë e përcaktimit sasior të numrit të saktë të kalimeve të nevojshme”, -thuhet në kapitullin e fundit të dokumentit, nëse distanca e lundrimit për kohëzgjatjen e kontratës do të jetë më e vogël se 6 mijë milje aktivitet detar, kostoja e qirasë do të ulet me 15%.