Aplikacion
47-vjeçari mësohet se fshihej në Athinë, ku edhe u vendos në pranga, ndërsa pritet ekstradimi i tij drejt Shqipërisë.
Ai është dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm, për ekzekutimin e Elton Çiçës, krim i ndodhur në një lokal në ish-Bllok.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Operacion i përbashkët ndërkombëtar për kapjen e të kërkuarve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni i koduar “IN TIME” në bashkëpunim me Policinë Greke. Në Athinë kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Jani Alia, 47 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas.
Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Kush është Jani Alia?
Apeli i GJKKO-së i sekuestroi pasurinë, e cila dyshohet se është vendosur në mënyrë të paligjshme,në vitin 2023.
Jani Alia me origjinë nga Tepelena akuzohet për vrasjen e Elton Çiços në një lokal në ish-Bllok.
Dyshohet se shkak i vrasjes ka qenë hasmëria mes rivalëve, e nisur në Greqi, kur të dy ishin në burg.
Jani Alia kishte qenë në burg për vrasje, ndërsa Çiço për trafik droge. Policia dyshonte se shkak ka qenë fakti se Elton Çiço, gjatë një konflikti në burg në vendin fqinj, e kishte plagosur Jani Alinë.
Dyshohet se konflikti kishte vijuar edhe në Shqipëri, ku Alia ishte plagosur edhe në Gjirokastër. Edhe për këtë ngjarje i dyshuar kishte qenë Elton Çiço.