zoom

Bota

Ekuador/ Gjysmë i zhveshur, “koka” e krimit transferohet në burgun e sigurisë së lartë

Pas

Më shumë se 3600 oficerë morën pjesë në operacionin për transferimin e një të burgosuri në një burg të sigurisë maksimale, La Roca në Guayaquil. Bëhet fjalë për José Adolfo Macías Villamar, i njohur si “Fito” i cili është kreu i bandës kriminale Los Choneros, e cila ka lidhje me kartelin Sinaloa të Meksikës.

Fito, i cili besohet se kontrollon të gjithë krimin në Ekuador, u transferua tri ditë pasi kandidati presidencial Fernando Villavicencio u vra. “Fito” akuzohet se ka dërguar kërcënime me vdekje ndaj kandidatit të vrarë presidencial të Ekuadorit. Aktivisti kundër korrupsionit u qëllua tre herë në kokë duke u larguar nga një tubim i fushatës të mërkurën.

Vdekja e tij ka tronditur një komb që i ka shpëtuar dhunës së bandave të drogës, luftërave të karteleve dhe korrupsionit që ka goditur shumë nga fqinjët e tij. Megjithatë, krimi është rritur në vitet e fundit, i nxitur nga rritja e karteleve kolumbiane dhe meksikane të drogës.

Në fund të korrikut, Villavicencio tha se kishte marrë një kërcënim me vdekje nga kreu i bandës. Sipas policisë, Los Choneros janë krahu operativ i kartelit Sinaloa të Meksikës.

Deri më tani, Fito, 43 vjeç, ishte mbajtur në burgun 4, i njohur si Guayaquil Regional. Në dy vitet e fundit, oficerët kanë kryer më shumë se një duzinë operacione për të goditur trazirat, por kjo qendër ishte e paprekshme.

Autoritetet ekuadoriane filmuan transferimin e të burgosurit dhe ndanë regjistrimin. Në pamjet filmike, Fito shfaqet gjysmë i zhveshur, me duart e lidhura pas shpine, i shtrirë me fytyrë poshtë në oborrin e burgut së bashku me njëqind të burgosur të tjerë. Sistemi i burgjeve është në gatishmëri në rast se transferimi shkakton një trazirë të re në burg, siç ka ndodhur në raste të tjera.