zoom

Lajme

“Ramës po i shtrëngohet laku”/ Trump emëroi Dan Bongino-n si Zv.Drejtor të FBI-së, reagon Këlliçi

Një ditë pasi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump emëroi gazetarin Dan Bongino, si zëvendësdrejtorin e ardhshëm të FBI-së, për të shërbyer së bashku me drejtorin Kash Patel, kanë ardhur edhe reagimet e para nga PD.

Drejtuesi politik i PD për Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi, thotë se Bongino është ai i cili shkroi një sërë artikujsh në mediat amerikane, për lidhjet kriminale të Edi Ramës me Kartelin famëkeq Sinaloa.

“Kreut të Narkoshtetit të parë në Europë po i shtrëngohet laku”, shkruan ndër të tjera Këlliçi.

Reagimi

Dikush ti urojë javë të mbarë Edi Ramës me këtë lajm të mrekullueshëm.

Presidenti Trump emëroi dje Dan Bonginon si Zv. Drejtor të FBI. Për të gjithë ata që nuk e mbajnë mend, Dan Bongino është ai i cili shkroi një sërë artikujsh në mediat amerikane për lidhjet kriminale të Edi Ramës me Kartelin famëkeq Sinaloa, tashmë të shpallur si organizatë terroriste nga Presidenti Trump.

Kreut të Narkoshtetit të parë në Europë po i shtrëngohet laku!

Dan Bongino i ka kushtuar vëmendje në programin e tij ‘The Dan Bongino Show’ skandalit me ish-zyrtarin e lartë i FBI-së, Charles McGonigal i cili akuzohet se ka marrë para ruse, ndërsa përflitet për takime të fshehta me kryeministrin Edi Rama.

Ndër të tjera, ai bëri publike edhe lidhjet e Edi Ramës me organizatë famëkeqe të narkotrafikimit, karteli i drogës Sinaloa. Ai ngriti pyetjen se mos-reagimi i administratës Biden ndaj kryeministrit shqiptar lidhet me faktin se njerëzit në qeverinë amerikane janë paguar nga shqiptaret?

“Njerëzit nga e gjithë qeveria ishin shumë konfuz se pse Biden nuk po bënte asgjë për këtë kryeministrin e Shqipërisë që dyshohet se po bashkëpunon me zyrtarin e FBI-së, që unë po ju them se është i lidhur me Hunter (Biden), ata janë të lidhur. Këtu kryeministri shqiptar duket se është i përfshirë në një konspiracion narko-trafikimi që përfshin kartelin Sinaloa. Një prej karteleve që po trafikon lëndë narkotike përmes kufirit jugor. Ata janë përgjegjës për sasitë më të mëdha të narkotikëve që trafikohen në SHBA.

Por, për çfarëdo lloj arsyeje, administrata e Biden nuk duket e shqetësuar nga kjo gjë. A është kjo sepse njerëzit në qeverinë tonë po paguhen nga shqiptarët? Për t’i bërë njerëzit të kthejnë faqen tjetër? Një pyetje e drejtë apo jo? Dikush në një konferencë shtypi, që bën punë reale në media, duhet të pyesë Karine Jean-Pierre (sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë) se pse Biden nuk ka bërë asgjë për narko-trafikimin në Shqipëri dhe për akuzat për lidhjet me kartelin Sinaloa në kufirin tonë jugor? A ka kjo lidhje me të infiltruarit në qeverinë tonë që lobojnë për të njëjtin kryeministër shqiptar për të cilin nuk po bëni asgjë?” shprehej Bongino.

Postime të lidhura