zoom

Ekonomi

Eksportuesit e prekur nga zhvlerësimi i euro, Sejko u kërkon bankave të përdorin kurs këmbimi fiks

Takimi i paralajmëruar i Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko me bankat tregtare në vend u zhvillua sot, me fokus zhvlerësimin e euros.

Sejko u kërkoi bankave tregtare të zhvillojnë kontratat forward (përdorimi i një kursi të fiksuar të këmbimit për kontratat e së ardhmes) sidomos për bizneset eksportuese.

Për të njëjtat biznese, që janë prekur më shumë nga zhvlerësimi i euros kundrejt lekut, Sejko i kërkoi që bankat të lehtësojnë procesin e kreditimit.

Guvernatori foli dhe për shëndetin financiar dhe ekonomik të Shqipërisë, duke parashikuar një mbarëvajtje të kreditimit të ekonomisë.

“Shëndeti financiar i ekonomisë shqiptare është i konsiderueshëm, falë përmirësimeve të vazhdueshme në sektorin e jashtëm, vënies nën kontroll të borxhit publik dhe fleksibilitetit operacional e bilanceve të shëndosha të biznesit shqiptar. Po ashtu, sektori bankar paraqitet me bilance të shëndetshme dhe një shkallë të lartë rezistence ndaj goditjeve të mundshme. Kjo rezistencë pasqyron modelin e tij të qëndrueshëm të biznesit, shkallën e lartë të likuiditetit dhe nivelin e kënaqshëm të kapitalizimit. Ky sektor, në tërësi, shfaq një maturi të shtuar e përqasje pro-aktive ndaj kreditimit të ekonomisë. Banka e Shqipërisë mbetet e bindur se sektori bankar do të vazhdojë të mbështesë me fonde e kredi ekonominë shqiptare, gjatë vitit 2023 e në vazhdim.”

Të dyja palët shprehën angazhimin e plotë për vijimin e bashkëpunimit të ndërsjellët institucional, si dhe, me autoritetet qendrore dhe vendore, në funksion të një sektori bankar sa më të shëndetshëm dhe mbështetës të zhvillimit ekonomik të vendit.