Aplikacion
Nga studimet për balet, te kujdesi i pashoq ndaj vetes; nga ndjeshmëria për artin dhe të bukurën, te modelingu, prapaskenat e televizionit dhe planet e së ardhmes…
Prej vitesh pjesë e televizionit dhe vazhdimisht nën ndriçimin e kamerave. Si ka qenë deri më sot rrugëtimi mediatik i Xheni Brahajt?
Në fakt dua ta nis që nga fillimi. Dalja ime e parë në skenë daton në moshën 12-vjeçare, jo në televizion po në një skenë madhështore dhe prestigjioze siç është ajo e Teatrit të Operas dhe Baletit, ku jam spikatur që në moshë të vogël për një talent të madh dhe “të rrallë”, siç deklaronin vetë artistët e mëdhenj të baletit shqiptar. Pasi përfundova studimet e baletit, ku dhe jam diplomuar, vendosa t’i bashkohem televizionit; në fakt bota e televizionit më zgjodhi mua [Qesh] dhe pse thellë brenda vetes e kam pasur gjithmonë dëshirë. Fillova punë në TV Klan, ku u rrita me një dashuri të madhe për punën dhe televizionin, gjë që e ruaj në një vend të rëndësishëm në zemrën time.
Cila është eksperienca televizive që ka shënjuar fort te ti dhe që zgjedh ta veçosh nga të tjerat?
S’besoj që ka nevojë për koment kjo, pasi padyshim që pjesa më e madhe e publikut më njeh si biondja te “Zonë e Lirë”, që ka qenë puna ime e parë në jetë dhe puna më e bukur deri më sot. Ndjej nostalgji për ato vite aty.
Që në moshë të hershme i je bashkuar botës së modelingut, për t’u përfshirë më pas edhe në Miss Universe. Si i kujton sot ato vite dhe sa kanë ndikuar në ndjeshmërinë tënde ndaj të bukurës dhe kujdesit për veten?
Modelingun e kam nisur diku te mosha 15-vjeçare dhe kam punuar si modele me “brande” (firma) të vogla shqiptare, por që ka qenë më shumë pasion, sesa e kam parë si diçka afatgjatë në jetë. Kam qenë edhe shumë e vogël dhe tepër e paqartë nëse do të ishte modelingu drejtimi përfundimtar që do të merrja. Por tani di të them se ishte diçka kalimtare në jetë, jo primare. Patjetër që të bukurën e duan të gjithë dhe këto lloj eksperiencash të bëjnë dashur pa dashur të rrisësh standardet e kujdesit ndaj vetes, si duke filluar te brande-t (firmat) e veshjeve dhe te make up-et, që unë jam addicted (e fiksuar, e dhënë) dhe i kushtoj shumë rëndësi.
Duhet thënë se tërheqja ndaj së bukurës rrjedhon edhe prej geneve të tua. Një vajzë e lindur mes artistësh; na trego diçka më shumë rreth familjes tënde.
Ehhh mes artistësh dhe intelektualësh do thoja unë, për një arsye shumë të thjeshtë, që në familje jemi të ndarë në dy drejtime. Disa në botën e artit dhe dua ta theksoj që familja më shumë ka qenë shtysë për mua që të merresha me art në fillimet e mia, duke ndjekur kështu kurse pianoje, baleti dhe pikture. Xhaxha im, që sot është piktor në Gjermani, ku ushtron profesionin dhe jep mësim në një shkollë pikture, më ka ndjekur dhe këshilluar gjithmonë përsa u përket këtyre fushave. Ndërkohë një pjesë tjetër e familjes janë intelektualë, me pozita drejtuese në shtet. Une më duket se kam marrë nga të dyja palët, pasi me art jam rritur dhe pasioni për të më buron nga venat, por në një të ardhme e shoh veten në fushën e Drejtësisë, të cilën e dashuroj pafund.
Çfarë nuk di publiku rreth Xhenit? Si je ti në përditshmërinë tënde, si zgjedh ta kalosh kohën?
Në përditshmëri jam aq e thjeshtë, sa kur më shohin në rrugë vështirë të më njohin, nuk lyhem kurrë dhe vishem shumë thjeshtë! Rrallë do të gjesh ndonjë minifund ose fustan në garderobën time.
Momentalisht po merrem me një specializim për të marrë licensën e avokatisë.
Rikthemi sërish te televizioni. A është ai qëllimi yt primar, a përfshihet televizioni ne planet e tua afatgjata?
Ka qenë një periudhë primare, derisa vendosa të shkëputem për disa angazhime të tjera personale. Patjetër që kam dëshirë ta vazhdoj dhe të rikthehem një ditë, por vetëm nëse është diçka që ja vlen dhe i përshtatet tipit tim. Jam shumë kërkuese ndaj vetes dhe nuk më pëlqejnë dështimet, apo të jem e dyta. Kurrë!!!
Xheni, eksperienca jote më e fundit televizive ishte ajo në reality show-n “Për’puthen”. Një ikje që bëri realisht shumë bujë dhe ngriti disa pikëpyetje. Përse u largove vërtet nga ai format?
Një hyrje që bëri dhe shumë bujë do thoja, sepse ishte hera e parë që një person publik merrte pjesë në një format si ai. Në fakt kam rezervat e mia, që nuk dua t’i flas, por pjesëmarrjen aty e quaj një gabim. Nuk para gaboj me zgjedhjet që bëj, por jo gjithmonë marrim atë që duam dhe që meritojmë në jetë… ndonjëherë rrethanat e jetës tregohen të padrejta.
U largova, sepse nuk e ndjeja veten të denjë për t’u përballur dhe debatuar me njerëz që nuk janë niveli im dhe nëse do qëndroja vetëm do humbja dhe s’do fitoja asgjë. Aq më tepër që po tentohej të përdorej emri im për audiencë. S’jam njeri debatesh dhe zënkash, u kam qëndruar përherë larg dhe do ju qëndroj sa të kem mundësi. I jam mirënjohëse publikut që 99.9 % më ka mbështetur dhe ndjesë që do tregohem pak modeste, po kam qenë e preferuara e tyre që ditën e parë dhe s’besoj që ka fitore më të madhe për mua!
Asokohe u tha nga produksioni se u largove nga reality show për shkak të një telefonate që more, duke e lënë kështu publikun në paqartësi totale. Si është e vërteta e gjithë kësaj?
Më telefonon një mik, ish-konkurrent i një viti më parë në “Për’puthen”, për një skenar të mundshëm, që mendohej të më bëhej, ku dikush do të më refuzonte mua (dikush nga konkurrentët). Me pak fjalë po luheshin skena pas shpinës sime, skena për të cilat unë nuk isha aspak në dijeni. Pikërisht aty vendosa të largohesha.
Sa do t’i sugjeroje te të rinjtë, reality show-t e kësaj natyre? Dhe për ata që tanimë janë pjesë, çfarë do t’u këshilloje të (mos) bënin?
Çdokush e gjykon vetë, por mendoj që tipat emocionalë dhe me parime e kanë pak të vështirë rrugëtimin në formate reality! Ama nëse zgjedhin të bëhen pjesë, të paktën të japin mesashe të bukura për publikun, sepse “dhunë” dhe fyerje kemi çdo ditë në jetën reale. Këto lloj formatesh le të shërbejnë për një rini më të mirë.
Sa e përmbushur ndjehet Xheni sa u përket objektivave që kishte caktuar këtë vit? Çfarë pret të bësh ndryshe në të ardhmen?
Ndjehem e përmbushur dhe shumë e lumtur. Besoj nga fillimi i vitit që vjen do të jem pranë publikut sërish, me një film të ri ku do të luaj dhe në të ardhmen shpresoj si një avokate e denjë për Shqipërinë time.
Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.