Aplikacion
Në një prononcim ekskluziv, Zhuka tregon se largimi i tij nga formati në fjalë televiziv, nuk erdhi prej skualifikimit të vajzave, siç u pa nga publiku, por sipas tij, ishte vetë ky i fundit që prej dy javësh, para se ikja të bëhej publike, zgjodhi të mos shkonte më në emision. Arsyeja?
“Ka shumë intriga dhe skenarë, të cilët ndodhin mbrapa shpine,”- zgjedh të përgjigjet ish-konkurrenti.
Fillimisht, Albi ndalet te fillesat e përfshirjes në “Për’puthen”; nga përzgjedhja te nisja e reality-t.
“Do doja ta nisja që në fillim historinë, në fazat e audicioneve, aty ku ishin mbi 30 djem, të cilët po prisnin për të hyrë në intervistë dhe produksioni i “Për’puthen” sapo më pa, më futi direkt pa radhë, në një takim me një prej vajzave, të cilat ishin duke kryer intervistën e tyre për të qenë pjesë e programit. Ajo ishte Anxhela. 2 javë më pas, më telefonuan përsëri për të firmosur kontratën, që të isha pjesë e emisionit dhe e mora me një entuziazëm shumë të madh, sepse ishte një prej emisioneve më të ndjekura vitet e fundit dhe dihet që në një kohë shumë të shkurtër do ishe një prej personazheve më të komentuara në Shqipëri.”
Më tej, Albi tregon se si po afronte koha e nisjes së programit dhe s’po shihte asnjë reagim nga ana e produksionit, për t’i thënë që të bëhej gati.
“Kjo gjë më çuditi në fakt, sepse e pashë shumë qartë që produksioni më pëlqeu shumë në pjesën e audicioneve dhe isha nga të paktët besoj, të cilët firmosën kontratën që fazën e dytë, sepse të tjerët kishin nga 4-5 (faza) e lart. Gjithsesi 3-4 ditë para se të niste programi fola me produksionin dhe më thanë që do përfshihesh pak më vonë, ndoshta për 3-4 javë, sepse formati këtë vit do jetë ndryshe; djemtë do jenë më pak në numër se vajzat. Kaluan 3-4 javë, s’po reagonin, kështu që vendosa të shkoja dhe t’i takoja vetë në Top Channel, për të folur dhe sqaruar, sepse “Për’puthen” ka qenë arsyeja e vetme, për të cilën po qëndroja në Tiranë, pasi punët i kisha jashtë (vendit). Shkova të flisja me produksionin dhe po më pyesnin se përse doja të hyja kaq shpejt. Më pyetën për pjesën me Anxhelën, sepse e panë që ditën e fazave, e çova unë për në shtëpi. U thashë se jemi duke folur, madje kemi një pëlqim për njëri-tjetrin. Që në atë moment u qeshi fytyra dhe nuk zgjati shumë, ditën tjetër më morën në celular dhe më thanë që do hysh këtë javë në program.”
Rrëfimi për Zoom.al vijon më tej me të tjera detaje:
“Ndërkohë po mendoja çfarë do ishte një gjë që të ma bënte hyrjen interesante dhe shumë të bujshme. Në atë moment mendova të hyj me maskë dhe me një kërcim me një nga vajzat, të cilat kisha pelqim aty, siç ishte Ilda. Çdo gjë ishte mendimi im dhe jo i produksionit. Bëra hyrjen, çdo gjë mirë, u bëra direkt shumë viral në rrjetet sociale. Po shkonte mirë ditët e para deri në momentin që kishte një takim në studio mes Arbrit dhe Anxhelës; aty më erdhën për herë të parë dhe më thanë që ti sot do tregosh gjithë historinë që keni patur me Anxhelën. E refuzova në fillim si gjë, por më pas më thanë që nëse nuk e bën do largohesh nga programi. Kështu që vajta u tregova të dyve, edhe Anxhelës edhe Arbrit, sepse me ata të dy i kisha shumë mirë marrëdhëniet që jashtë dhe nuk doja kurrsesi t’i nxirrja keq në publik. Ndodhi çfarë ndodhi, ishte bomba më e fortë deri në ato momente në program dhe u bë gjithashtu shumë virale në rrjet. Pas kësaj bombe me Anxhelën, shkova dhe i thashë produksionit që nuk dua të jem përsëri pjesë e këtyre gjërave pa dëshirën time. Që në këtë moment, çdo gjë ndryshoi, nuk po më zhvilloheshin takimet, të cilat po zgjidhja. U bëra gati 1 muaj në studio, nuk pata një takim jashtë, nuk po më jepej asnjëlloj prioriteti dhe minutazhi; madje edhe kur bëja disa debate ose ndërhyrje në studio, kur shihja puntarën në TV, çdo gjë ishte prerë në montazh. Kështu që nga një person, i cili ato 2 javët e para u kthye në protagonist absolut, u bëra direkt i padukshëm në ekran. Kjo gjë, sepse u dola kundra skenareve të shëmtuara të produksionit për të nxjerrë keq si figurën time, por dhe figurën e një personi tjetër, të cilin do vendosnin ata cili do ishte.”
Por cila ishte ajo ndodhi që vulosi vendimin e Albit për t’u larguar? Ish-konkurrenti i thotë të gjitha:
“Erdhi momenti pas 3 javësh, që isha pjesë e emisionit, më në fund m’u bë një takim me Edën në studio, i cili ishte më tepër për debate mes konkurrentëve të tjerë, sesa për mua. Na u vu e gjithë studioja kundër pa ndonjë arsye dhe vendosën disa tituj qesharakë në YouTube. Ditën tjetër vendosa t’i bëja një dhuratë Edës disa trëndafila, sepse dhe ajo ishte pjesë pa dashur e intrigave që po më bëheshin mua në emision. Çdo gjë shkoi mirë, erdhi momenti i zgjedhjeve në backstage (prapaskenë). Ne emrat e gocave, të cilat zgjedhim në takim i japim disa ditë para në produksion dhe ata ia japin kameramanes, e cila u tregon më pas gocave për zgjedhjet qe ne kemi bërë. Më thërrasin mua të parin, por isha duke u marrë me diçka në atë moment dhe i thashë vazhdoni me të tjerët se do vij do xhiroj për pak. Vazhdojnë të gjithë me radhë dhe në atë moment shkoj unë dhe i them Edës tani po shkoj të bej zgjedhjen. Mendo ndonjë vend të bukur që të shkojmë te takimi. Eda ma kthen e habitur: Albi, mua nuk m’u tha emri jot fare që më ke zgjedhur në takim, m’u tha vetëm emri i Mateos. Marr produksionin në celular me speaker (zë të lartë) para Edës dhe i them cilën nga vajzat kam zgjedhur në takim unë. Ata thanë Edën, por sipas tyre, kameramanes kishin harruar t’i jepnin emrin tim te zgjedhjet. Kjo gjë ishte e gjitha që të më nxirrnin mua jashtë loje në publik, sikur unë i bëra dhuratë Edës trëndafilat dhe kur vjen puna ajo zgjedh Mateon. Ndërkohë që në fakt, emri im nuk iu përmend fare asaj, që e kisha zgjedhur. Që në atë moment vendosa të mos shkoj më në program, u bë gati 1 javë që nuk shkoja në emision dhe marr vesh se gocave u ishte bërë presion që të më zgjidhnin mua për t’u eleminuar nga programi, duke u thënë atyre që nëse nuk e bënin diçka të tillë, do largoheshin dhe ato. Çdo gjë është me fakte, të cilat unë i kam.”
Po kështu, ish-konkurrenti tregon diçka më shumë rreth dritë-hijeve që përshkojnë këtë format.
“Jashtë unë takohesha me disa prej gocave të programit. Shumica e konkurrentëve aty janë në lidhje jashtë, kështu që të gjithë për famë kanë hyrë. Normale dhe unë.”/ Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.