zoom

Lajme

Edi Rama “de facto” kryebashkiak i Tiranës! Mbledh administratën e Bashkisë në sheshin “Skënderbej”

Kryeministri Edi Rama duket se është bërë “de facto” kryetari i Bashkisë së Tiranës pas prangosjes së Erion Veliajt me urdhër të SPAK.

Kreu i qeverisë, i cili nuk pranoi të shkarkonte Erion Veliajn, i cili ndodhet pas hekurave që prej datës 10 shkurt, për t’i hapur rrugën zgjedhjeve të reja, ka marrë në dorë drejtimin e Bashkisë duke cënuar hapur autonominë e pushtetit vendor.

Rama do të zhvillojë pasditen e sotme, në orën 16:30 në sheshin “Skënderbej”, një takim me rreth 6 mijë punonjës të Bashkisë dhe drejtorive të cilat janë në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë në shesh janë vendosur karriget, si edhe është ngritur podiumi ku kreu i qeverisë do mbajë fjalën para administratës së bashkisë

Pas takimit në shesh, Edi Rama rreth orës 17:30 do të shkojë në bashki, ku do të zhvillojë një takim me këshilltarët socialistë në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Kryeministri Rama është paraqitur disa herë në Bashkinë e Tiranës pas arrestimit të kryetarit të saj, Erion Veliaj.

Kreu i qeverisë , pas prangosjes së Veliajt për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, është shprehur se nuk do ta shkarkojë nga detyra.

“Jo vetëm kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk do të shkarkohet nga detyra, por nga ndalimi i tij ka lindur për ne detyra që të vazhdojmë të jemi garantë të palëkundur të drejtësisë, duke nxitur sa më shumë transparencë për të dalë tek e vërteta”, tha Rama për BIRN.

Ky vendim i Kryeministrit për të mos shkarkuar Erion Veliajn, për të hapur procesin e zgjedhjeve për kreun e Bashkisë Tiranë, ngre pikëpyetje se Rama kërkon të marrë vetë drejtimin e kryeqytetit.

Ditën e arrestimit të Veliajt, më 10 Shkurt, Rama shpalli kandidaturën e tij për mandatin e deputetit në qarkun e Tiranës.

Postime të lidhura