Aplikacion
Një grup prej tyre u mblodh këtë të martë në oborrin e fakultetit, duke bojkotuar mësimin.
Ata protestojnë sepse sipas tyre, Ministria e Arsimit i gënjeu për bursat që do të përfitonin nëse do të regjistroheshin në degë prioritare (janë 40 të tilla).
Përmes një njoftimi zyrtar, studentëve të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, Historisë dhe Gjeografisë ju bëhet e ditur se do të përcaktohen kuotat nga senati akademik dhe bursat prioritare do të përfitohen sipas mesatares më të lartë.
Sakaq, studenti përfitues duhet të ruajë mesataren jo më pak se 9.5 përgjatë ciklit të parë dhe të dytë të studimeve, një kusht që u deklarua se do të hiqet, në vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 29 qershor.
“Pyetëm në sekretari dhe na thanë se është kusht ruajtja e mesatares 9.5, nënshkrimi i një kontrate me shtetin dhe punë e detyruar 3 vjet pas përfundimit të studimeve.”
“Shumë studentë kanë ardhur këtu për shkak të bursës, tani na shtohen këto kushte që nuk i dinim fare. Pse duhet të na mbajnë peng diplomën?”
“Janë shumë të pakët studentët ekselentë që kanë zgjedhur Gjuhë Letërsinë. Qëllimi ishte të tërhiqnin maturantët dhe tani shtojnë mesataren”, shprehen studentët.
Për këtë situatë reagoi edhe demokratja Ina Zhupa, e cila akuzoi ministrinë se nuk dëgjon kërkesat e studentëve.
“Qeveria është vetë problemi për largimet nga vendi për shkak të politikave të saj dhe mungesës së kushteve minimale në çdo drejtim. Ministrja Manastirliu as dëgjon, as flet, është shndërruar në funksionare shurdh-memece ndërkohë që studentët janë në rrugë për kërkesa të drejta dhe kërkojnë dialog. Refuzon komisionin, refuzon studentët, refuzon të jetë ministre”, tha Ina Zhupa.