zoom

Lajme

Edhe nëna e Monikës në SPAK: Merren me një plakë 80-vjeç, jo ata që shesin tokat e shtetit

Nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, u paraqit sot në SPAK.

Pas daljes nga SPAK Fatime Kryemadhi foli për gazetarët, ku tha se është person në hetim për banesën e saj.

Ajo tha se SPAK në vend të merret me personat që shesin tokat e shtetit merret me një plakë 80 vjeçe , e cila ka një shtëpi si gjithë të tjerët.

“Hetohem meqë jam person paprekshëm unë se me personat e paprekshëm po hetohet. Për çfarë shpjegime të jap se kam shtëpinë time. Jam 80 vjeç nuk kam të drejtë blej një shtëpi unë? Ju nuk keni shtëpi? Nuk merren me ata që shesin copa të shtetit të popullit dhe merren me mua një plakë. Çfarë deklarate të japë unë?”, tha Kryemadhi.

Më 17 dhjetor të vitit të kaluar Apeli i GJKKO-së prishi pjesërisht vendimin e GJKKO duke i hequr sekuestron e vilës së nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi.

Sakaq Apeli i GJKKO la nën sekuestro vilën e deputetes së PL-së, Monika Kryemadhi.

Më 20 tetor 2024 Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi sekuestrimin e dy pasurive të paluajtshme në pronësi të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj, Fatime Kryemadhi në vendin e njohur si “Kodra e Diellit” në Tiranë.

Sipas SPAK, kjo masë erdhi si vijim i hetimeve të filluara në vitin 2022 ndaj kryetarit të Partisë së Lirisë dhe ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta e ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.

Bazuar në kërkesën e SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” për dy prona të zotëruara nga Monika Kryemadhi dhe nëna e saj, Fatime Kryemadhi. Konkretisht, u sekuestruan dy vila me sipërfaqe të njëjta, me katet përdhese prej 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë; katet e para janë nga 79 m2; katet e dyta me sipërfaqe 51 m2 dhe verandë 27.9 m2 dhe katet nëntokë me nga 139 m2 secila.

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me bizmesmenin Samir Mane, për marrjen përsipër të ndryshimit në favor të tij, të një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve të veprës penale në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Ai u arrestua bazuar në rezultatet e këtyre hetimeve dhe gjendet në paraburgim. Meta i ka mohuar akuzat dhe ka kërkuar revokimin e masës së sigurisë në gjykatë.
Akuza të ngjashme ka ngritur SPAK edhe ndaj deputetes Monika

Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci. Kryemadhi po hetohet në gjendje të lirë.

Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho ndodhet detyrim paraqitje për akuzën e korrupsionit pasiv. Në të njëjtën masë sigurie po hetohet për pastrim parash edhe Ema Çoku, një financuese e LSI-së

Postime të lidhura