zoom

Blog

E vetmja mënyrë për të dobësuar Rusinë? Rënia e çmimit të naftës…

Presidenti Vladimir Putin mburret me fuqinë e ekonomisë ruse përballë sanksioneve perëndimore, duke cituar vlerësimet e institucioneve financiare ndërkombëtare se PBB-ja ruse u tkurr shumë pak në vitin 2022. Arritja e liderit rus nuk është befasuese dhe ai nuk është i vetëm: është një pikëpamje e përhapur se sanksionet e vendosura ndaj regjimit të tij nuk kanë pasur ndikim ekonomik.

Një studim i fundit mbi ekonominë ruse, nga Re: Projekti Rus, një rrjet ekspertësh, sfidon këtë pohim. Raporti, përgatitur nga një grup ekonomistësh që përfshin edhe ish-përfaqësues të ministrisë së ekonomisë dhe bankës qendrore ruse, thotë se sanksionet në fakt kanë pasur efekt të madh. Ato kanë larguar kapitalin e huaj, që përbënte 12% të PBB-së së Rusisë. Nën rrethana normale, kjo do të përkthehej në një disfatë ekonomie. Gjithsesi ka një forcë të madhe që minon efektin e sanksioneve: çmimet e larta të energjisë.

Rritja e të ardhurave nga shitjet më të larta të energjisë dhe ulja e importeve (për shkak të sanksioneve) kanë rezultuar në një suficit tregtar prej rreth 18% të PBB-së. Kjo tepricë dhe fluksi i petrodollarit e kanë ndihmuar Rusinë të shmangë shkrirjen ekonomike. Por një krizë e fshehur nuk është e njëjtë me një ekonomi të fortë. Ne e quajmë këtë situatë “pak më të keqe se kriza”, sepse të ardhurat e larta nga eksportet e energjisë veprojnë si një anestezi që nuk e lejon ekonominë të ndjejë dëmin e shkaktuar nga sanksionet dhe të përgjigjet në mënyrë adekuate.

Momentalisht, oferta tejkalon kërkesën në tregun global të naftës. Por sipas parashikimit të marsit nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, kërkesa do të rritet ndjeshëm deri në fund të vitit; kjo do të rrisë çmimet përsëri. Edhe duke marrë parasysh një zbritje të konsiderueshme në çmimin e naftës bruto ruse, pjesërisht si rezultat i një kufiri çmimi të vendosur nga G7, nafta do t’i sigurojë Putinit fonde të mjaftueshme për të vazhduar luftën e tij dhe për të mbajtur regjimin e tij represiv. Përpjekjet perëndimore për të kufizuar aksesin e naftës ruse në treg ka të ngjarë të kenë shumë pak efekt.

Është koha të pranojmë se çmimet  e larta të naftës janë faktori kryesor i agresionit të Putin brenda dhe jashtë Rusisë. Ky problem duhet shqyrtuar edhe në perspektivë më të gjerë. Në vitet 1990 çmimi mesatar i një fuçie nafte bruto ishte 27 dollarë. Në 2000 54 dollarë dhe vitet e fundit, mbi 70 dollarë. Rusia ka fituar mesatarisht 250 mld dollarë në vit nga shitjet e naftës dhe gazit në 15 vitet e fundit.

Vlera e madhe e kësaj qiraje hidrokarburesh e ka lejuar Putin të blejë besnikërinë e popullsisë dhe të krijojë rrjete klienteliste brenda elitave. E gjithë kjo forcoi autoritarizmin e tij – dhe të të tjerëve gjithashtu.

Në vitet 1990, shumë vende ish-autoritare kërkuan afrimin me Perëndimin dhe kërkuan të përshtatnin institucionet e tregut perëndimor dhe demokracinë, sepse ishin të interesuar të zgjeronin tregtinë dhe investimet me vendet e zhvilluara. Por epoka e çmimeve të larta të karburanteve i ka bërë strategji të tilla shumë më pak tërheqëse. Investimi i brendshëm u bë më pak i nevojshëm sepse u zëvendësua me sukses nga fluksi i qirave. Dhe zgjerimi i tregjeve të konsumit të brendshëm në vendet autoritare në prosperitet ka joshur firmat e huaja të investojnë dhe të bëjnë tregti me to, duke mbyllur një sy ndaj korrupsionit dhe abuzimeve të të drejtave të njeriut.

Unë jam i bindur se nëse çmimet e energjisë do të ishin shumë më të ulëta, lufta në Ukrainë nuk do të kishte ndodhur. Të ardhurat aq të larta jo vetëm konsoliduan autoritarizmin dhe elitat që përfituan nga shpërndarja e tyre, por gjithashtu i dhanë regjimit të Putin dhe vartësve të tij një ndjenjë të përgjithshme fuqie dhe pathyeshmërie, duke nxitur atë që ne mund ta quajmë “petro-nacionalizëm”. Të njëjtat përfitime dobësuan levën e vendeve perëndimore, pasi aksesi në tregjet e tyre dhe investimet bëheshin gjithnjë e më pak të rëndësishme për mirëqenien ekonomike të Rusisë.

Ne mund të gjejmë në të gjithë këtë, përgjigjet e dy pyetjeve shumë të rëndësishme: Kur do të mbarojë lufta? Dhe kur do të shohim një regjim normal në Rusi? Përgjigja është kur të ardhurat nga nafta dhe gazi të reduktohen. Por ka gjasa që kjo të marrë më shumë se 1 vit kohë. Do të duheshin tre, katër apo ndoshta pesë vjet për të sjellë një rënie të mprehtë të standardeve të jetesës dhe mungesën e parave në ekonomi, që do t’i detyronte rusët e zakonshëm dhe elitat të konkludonin një herë e mirë se regjimi është i shkatërruar dhe të kërkonin alternativa politike dhe ekonomike.

Edhe pse ndoshta do të duheshin disa vite uri financiare për të sjellë një kthesë të tillë ngjarjesh, lufta në Ukrainë dhe sanksionet tani kanë rritur në mënyrë dramatike kërcënimit e regjimit ndaj rënies së çmimeve të energjisë. Ajo duhet të mbajë shpenzime të larta ushtarake dhe shpenzime të larta sociale për të frenuar pakënaqësinë, dhe në të njëjtën kohë duhet të merret me pasojat e daljeve masive të kapitalit. Putin gjithashtu duhet të sigurojë zëvendësimin e importeve në sektorë kritikë dhe të ndërtojë infrastrukturë të re për të zgjeruar flukset tregtare në lindje dhe jug. Nëse çmimet e energjisë përjetojnë një rënie të qëndrueshme, lufta e rrëzimit së Putinit mund të kthehet në një luftë vetë-shterimi.

Në të kundërt, nëse çmimet e naftës mbeten të larta, Perëndimit do t’i duhet të prodhojë armë për Ukrainën në të njëjtën shkallë që qiratë e naftës i lejojnë Putinit t’i prodhojë ato në Rusi. Dhe nëse Ukraina arrin një kundërofensivë të suksesshme ushtarake në muajt e ardhshëm, duke e bërë udhëheqësin rus të kërkojë një formë armëpushimi, regjimi i tij ka shumë të ngjarë të mbijetojë, me kërcënimin e ripërtëritjes.

Vetëm një rënie e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e çmimeve të hidrokarbureve mund ta ndryshojë situatën. Pyetja e vetme është nëse Rusia, deri atëherë, do të jetë shumë e varur nga Kina si ekonomikisht ashtu edhe politikisht për t’i shpëtuar kampit autoritar.