Aplikacion
Prokurori i çështjes ka mbledhur prova që tregojnë sesi Klotilda Bushka ka asgjësuar provat për Ajola Xoxën, që e quan mike të sajën.
Në dosjen që Zoom.al ka siguruar, shpjegohet se personi me të cilin ka biseduar Klotilda Bushka për të nxjerrë “të larë” Ajola Xoxën është dëshimtarja Ina Goxhaj, ish-drejtoreshë ekzekutive e qendrës BYL-A, e cila është edhe kushërirë me deputeten socialiste.
Pasi e ka njoftuar se është thirrur nga SPAK për të dëshmuar për hetimin pasuror të nisur ndaj Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës, Ina Goxhaj është takuar disa herë me Klotilda Bushkën.
Takimi i parë ka ndodhur më 10 dhjetor në shtëpinë e prindërve të Klotilda Bushkës. Kjo e fundit e ka udhëzuar Ina Goxhajn se duhet të mohonte gjithçka gjatë marrjes në pyetje.
Të nesërmen, ato janë takuar sërish, këtë herë në një zyrë avokatie.
Pikë kontakti për këtë takim ka shërbyer shtetasi Erald Ismaili, i cili e ka telefonuar vetë dëshmitaren e SPAK.
Në takim, Ina Goxhaj ka gjetur Klotilda Bushkën, dhe një djalë tjetër të cilin nuk e njihte, teksa fillimisht, ka biseduar me Klotildën, për të cilën ka treguar se ajo e mësonte se cfarë duhej të thoshte, gjërat që do të mohoheshin në mënyrë kategorike.
Në takim ka shkuar edhe Ajola Xoxa, që i ka marrë telefonin Ina Goxhajt dhe i ka dhënë një tjetër, me qëllim që bisedat që kishte aty të mos lexoheshin nga prokurorët e SPAK.
Pas kësaj, Klotilda Bushka dhe Ina Goxhaj janë larguar drejt shtëpisë së deputetes së PS, për të vazhduar me udhëzime të tjera.
Ina Goxhajt iu tha se nuk duhej të paraqitej në prokurori, duke përdorur justifikim se nuk ishte mirë nga ana shëndetësore.
Edhe më 14 Dhjetor, Ina Goxhaj është takuar me Klotilda Bushkën, ku sërish i është bërë presion të mos tregojë të vërtetën para hetuesve.
Por, Ina Goxhaj, sipas dosjes hetimore, ka deklaruar gjatë marrjes në pyetje se Klotilda Bushka i ka thënë se nëse do thirrej përsëri në SPAK, do të përfaqësohej me një avokat dhe i ka kërkuar që të mos flasë më.
Pjesë nga dosja hetimore:
“Klotilda i ka treguar Inës se gjatë deklarimit duhej të thoshte që ajo (Ina) ishte nismëtare e projektit të dancit, por është marrë Harabeli me organizimin. Shqetësimi tjetër i Klotildës lidhej me adresën e selisë së BYL-A, që s’duhet të dilte që ishte shtëpia e saj. Po kështu, deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka dhënë një dokument i cili shërbente për ndryshimin e adresës së qendrës BYL-A dhe i ka sugjeruar Inës që të deklarojë që ka qenë neglizhencë e saj mosndryshimi i adresës.
Në këtë takim, është bashkuar edhe Ajola Xoxa, e cila i ka kërkuar Inës që t’ia dorëzonte telefonin dhe më pas e ka kontrolluar atë në lidhje me bisedat që kishte. Ina Goxhaj ka deklaruar se nuk ka dashur që t’i jepte telefonin e saj të markës Samsung A35, por është ndjerë e detyruar nga Ajola Xoxa. Deklaruesja shpjegon se Ajola Xoxa ka lexuar komunikimet e zhvilluara ndërmjet saj (Inës) dhe Adela Kondakçiut, apo e dhe me Ketrina Brahon dhe ishte e shqetësuar, por Ina deklaron se personalisht nuk u ndie në faj pasi mesazhet ishin një e vërtetë e madhe. Deklaruesja shpjegon se Ajola, Klotilda dhe avokati morën vendimin që ajo (Ina) të mos paraqitej në Prokurorinë e Posaçme. Deklaruesja shton se Ajola Xoxa më pas i ka sjellë një telefon të ri të markës Iphone 12 dhe i ka thënë se telefonin e saj Samsung A35 do ta asgjesonin.
Shpjegon se në takim Klotilda, Ajola dhe Avokati dukeshin të shqetësuar se nuk kishin patur kontakte me Adelën, e cila një ditë më parë kishte qenë në Prokurori. Gjatë takimi, deklaruesja shpjegon se i është thënë që duhet të bënte rezistencë dhe të mos tregonte realitetin e situatës. Kjo shtetase deklaron se i kanë kërkuar që të mohonte çdo gjë në lidhje me Ajolën dhe Bylën etj.
Po kështu, Ina Goxhaj sqaron se gjatë këtij takimi i kanë bërë presion duke i thënë se në momentin që Ajola do të shkonte në deklarim, ajo do ta merrte vesh se çfarë kishte thënë Ina. I kanë thënë, që ata do e merrnin vesh se çfarë do të deklaronte dhe do rridhte informacioni, pasi kishin njerëz brenda Prokurorisë, dhe se do njiheshin me deklarimin e saj.
Në lidhje me BYL-A, pas vitit 2022 dhe pas projektit të ambasadës amerikane, Ina Goxhaj tregon se nga mënyra se si rodhën ngjarjet, ka kuptuar që BYL-A ishte e Ajolës. E pyetur për vendimet që merreshin te BYL-A pas vitit 2022, shpjegon se nuk vareshin nga ana suj. Tregon se ishte nënkuptuar që ishte tjetër person për vendimmarrjen. Sqaron se ajo quhet Ajola Xoxa, por me të nuk ka komunikuar drejtpërdrejtë, por nëpërmjet Adelës apo vajzave të tjera të Harabelit, të cilat i sillnin dokumentat për nënshkrim. Ina Goxhaj tregon se kishte vetëm emrin si drejtuese por pa asnjë rol.
Deklaruesja shpjegon se ndërsa ka qenë në zyrë duke punuar, tek Avokati i Popullit, rreth orës 14:30 është lajmëruar nga shoferi i institucionit, një shtetas i quajtur Tasim, se e kërkonte dikush nga jashtë. Më pas, shoferi i ka thënë që të shkonte tek zyra e Avokatit të Popullit. Deklaruesja shpjegon se kur është futur brenda në zyrë, ka gjetur aty Avokaten e Popullit Erinda Ballanca, si dhe shtetasen Klotilda Bushka. Deklaruesja shpjegon se në momentin e parë u përshëndeta me të dyja, më pas, shtetësja Klotilda Bushka i ka shkelur syrin, gjest të cilin ajo (deklaruesja) e ka kuptuar si një sinjalizim për të mos treguar se cfarë më kishte ndodhur gjatë majit Dhjetor dhe takimet që kishte patur.
Pas disa bisedave për tema personale, deklaruesja shpjegon se shtetësja Erinda Ballanca është larguar nga zyra dhe ka mbetur vetëm me Klotilda Bushkën. Kjo e fundit ka nisur ta pyesë nëse ishte më mirë dhe a ishte qetësuar nga situata e krijuar muajin e kaluar. Gjithashtu, Klotilda Bushka e ka pyetur nëse kishte ndonjë shqetësim nga Spak-u, duke e pyetur nëse ishte thirrur përsëri. Deklaruesja i është përgjigjur se nuk ka patur asnjë lloj shqetësimi dhe është shumë e qetë.
Në vijim, deklaruesja shpjegon se Klotilda Bushka i ka thënë se kishte një merak me deklarimet në ILDKPKI që ajo vetë po bënte, duke iu referuar faturës që kishte në dosjen e saj të lëshuar nga bashkëshorti i saj Altin Bushka, për aktivitetin NATO 2022 dhe e ka pyetur se kush ka qënë në dijeni për këtë faturë. Deklaruesja i ka thënë se për këtë faturë kishte folur vetëm me Greta Kokalarin dhe më pas po ajo i kishte shkruar Altinit duke i thënë se duhet të bënte një faturë.
Deklaruesja shprehet se, meraku i Klotildës ishte nëse kjo bisedë mbi faturën në fjalë ishte bërë apo jo me Adela Kondakçiun, siç edhe në të vërtetë ka ndodhur. Megjithatë. deklaruesja e ka mohuar një gjë të tillë. Në një moment, deklaruesja shpjegon se Klotilda Bushka u shpreh duke thënë se “Adela na ka sjellë shumë pasoja dhe është një person negativ me të cilin kemi bashkëpunuar.
Deklaruesja shpjegon se Klotilda i ka thënë “mos ki merak, për çfarëdolloj gjëje, do na kesh ne. Dhe të lutem mos fol me njeri në telefon”. Që mos fliste në telefon në lidhje me ngjarjen, deklaruesja shpjegon se shtetësja Klotilda Bushka ja ka kërkuar disa herë. Më pas, deklaruesja shpjegon se shtetësja Klotilda Bushka i ka thënë që nëse do e thërrisnin përsëri në Spak, ajo nuk duhej të tregonte sesi Klotilda ia kishte marrë telefonin. Klotilda Bushka, shpjegon deklaruesja, e ka udhëzuar që nëse do të pyetej organi procedues lidhur me telefonin, duhej të deklaronte se telefonin aktual (atë që i ka dhënë shtetësja Ajola Xoxa) e kishte prej vitesh në shtëpinë e saj dhe thjesht e ka vënë në përdorim kohët e fundit.