zoom

Aktualitet

E rëndë në Karaburun! Helika e gomones plagos pushuesin nga Tirana. Nën hetim pronari (DETAJET)

Pasiguria dhe pakujdesia në zonat bregdetare vijon të shkaktojë probleme dhe lëndime me pasoja tek pushuesit.

Një 56-vjeçar nga Tirana ka mbetur i plagosur, pasi është dëmtuar nga helika e një gomone pasditen e sotme.

Sipas informacionit paraprak zyrtar nga Policia e Vlorës, i dëmtuari me inicialet F.T., ka qenë duke drejtuar një mjet lundrues, gomone, gjatë ankorimit në molin e vjetër të ish-ushtrisë, në gjirin e “Shën Janit”, kur aksidentalisht me helikën e mjetit lundrues ka dëmtuar në këmbë shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte zbritur nga një anije turistike në det afër këtij moli.

Teksa 56-vjeçari është transportuar në spital për ndihmë mjekësore, policia ka bllokuar mjetin lundrues dhe ka shoqëruar në polici drejtuesin e gmones. Lidhur me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili po punon për të zbardhur detajet e aksidentit.

“Sot, në Karaburun, një mjet lundrues tip gomone, me drejtues shtetasin F. T., gjatë ankorimit në molin e vjetër të ish-ushtrisë në gjirin e “Shën Janit”, aksidentalisht me helikën e mjetit lundrues ka dëmtuar në këmbë shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Tiranë, i cili kishte zbritur nga një anije turistike në det afër këtij moli. (Nuk kemi të bëjmë me zonë plazhi). 56-vjeçari është transportuar për ndihmë mjekësore. Mjeti lundrues është bllokuar nga shërbimet e Policisë Kufitare, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në Polici për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia vendore.

Grupi hetimor i DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Ky nuk është incidenti i parë, pasi pothuajse çdo vit ka të plagosur, të rrezikuar dhe madje pushues viktima nga goditjet e mjeteve lundruese që i afrohen zonës së sigurt të plazhit. Rastet më të rënda ishin ato të vajzës 7-vjeçare në Himarë tre vite më parë, që u godit për vdekje nga ish-komisari i policisë teksa bënte xhiro pranë bregut dhe ai i pushuesit ukrainas pesë vite më parë po në zonën jugore të vendit, teksa u godit nga helika e një mjeti lundrues. /ZOOM.AL/